Atentati mësohet se ndodhi vetëm 150 metra larg komisariatit të Policisë, teksa i riu po udhëtonte me makinën e tij tip ‘Fuoristradë’.
I riu nuk ka pranuar të bashkëpunojë me policinë pas marrjes në pyetje, ndërkohë që dyshohet se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh.
Burime pranë grupit hetimor pohojnë së ngjarja ka qenë e mirëorganizuar nga autorët kanë pasur si qëllim eleminimin 23-vjecarit të njohur me emrin Kei Piu, por s’u ka mjaftuar koha. Kjo pasi zona ku ndodhi atentati është 150 metra larg policisë.
Mësohet se për shkak të patrullimit të shpeshtë të policisë në qendër të qytetit atentatorët të cilët kanë qenë të maskuar nuk kanë mundur të dalin nga automjeti, duke e qëlluar 23 vjeçarin nga brenda.
Në tentativë për ti shpëtuar plumbave i riu është shmangur dhe ka shkuar në fund të makinës së parkuar ku ka rënë në tokë.
23-vjeçari është gjetur i plagosur nga Policia e Elbasanit.
Mësohet se i riu ka marrë tre plumba në bark. Ai i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin e Elbasanit.
Ndërkohë, policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë përreth zonës ku ndodhi ngjarja për të bërë të mundur identikimin dhe kapjen e autorëve.
Deri më tani uniformat blu kanë shoqëruar në komisariat disa persona, të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen.
23-vjeçari nuk është një emër i panjohur për policinë. Ai ka qenë shoqëruar disa herë në polici për lëndë narkotike. Policia ka nisur hetimin në disa pista, ku më kryesorja është larja e hesapevedhe debateve që i riu mund të këtë patur me autorët.
I plagosuri është marrë në pyetje nga oficerët, por nuk ka pranuar të bashkepunojë me policine./abcnews.