Kryemadhi/ Edi Rama dhe Qeveria e tij e mbrapshtë duan ta përdorin izolimin e Shqipërisë si alibi për Mini-Shengenin

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, nënvizoi sot nga Korça, nga takimi me anëtarë të LSI, se “Opozita e Bashkuar e detyroi Rilindjen dhe Edi Ramën të pranojë zgjidhjen e opozitës për reformë zgjedhore, e cila i hap rrugën jo vetëm integrimit të vendit, por edhe krijimin e mundësive reale për zgjedhje të lira të ndershme e të parakohshme.

Opozita mori përgjegjësinë e saj përpara jush për të realizuar reformën zgjedhore, e cila është edhe një nga 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu Gjerman jo vetëm e tij por dhe e bashkimit europian, për të bërë të mundur hapjen e negociatave në muajin mars.

Kjo pikë ka qenë deri tani e vetmja alibi e pushtetit për të bërë bashkëpërgjegjëse opozitën për dështimet dhe mosdashjen e saj për të integruar vendin në BE.

Tashmë i duhet kësaj Qeverie të paaftë të mos mbajë më peng të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Tashmë është kjo Qeveri e lodhur që duhet të përmbyllë tetë pikat e tjera të kushteve mjaft të qarta të Bundestagut Gjerman.

Tashmë është kjo Qeveri dhe ky Parlament monopartiak, që duhet të heqë dorë nga bllokimi i ngritjes së Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë sipas Kushtetutës.

Me marrjen e përgjegjësisë nga ana e Opozitës së Bashkuar për të vetmin kusht që duhet kontributi i saj për të zhbllokuar integrimin në BE, tregoi që ne mbi interesat partiake apo llogaritë meskine elektorale vendos të parën të ardhmen e shqiptarëve. Sepse për ne Shqipëria është e para! E ardhmja evropiane e saj është e para!

Edi Rama dhe Qeveria e tij e mbrapshtë duan ta përdorin izolimin e Shqipërisë si alibi për Mini-Shengenin duke shkuar kështu në aleanca dhe rrugë të tjera, të cilat shqiptarët nuk i kanë dashur as si politikë por as shpirtërisht.”

Loading...