Regjimi sirian i Bashar al-Asadit dhe grupet e huaja terroriste mbështetës të tij në Siri pavarësisht marrëveshjes së Soçit për ruajtjen e armëpushimit vazhdojnë sulmet ndaj vendbanimeve civile në Idlib, ku si pasojë ka humbur jetën një civil dhe janë plagosur tre të tjerë.
Regjimi i Asadit dhe grupet e huaja terroriste me mbështetje iraniane edhe sot kanë vënë në objektiv vendbanimet civile në rajonet e pastruara nga armët e rënda sipas marrëveshjes së Soçit dhe të cilat ndodhen brenda zonës për uljen e tensioneve në Idlib, raporton AA.
Sipas informacioneve të marra nga burimet e Mbrojtjes Civile në Idlib, mësohet se regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij kanë kryer sulme artilerike në rajonet Xherxhenaz dhe Tuh në periferi të Idlibit, ku si pasojë e sulmeve ka humbur jetën një civil dhe janë plagosur tre të tjerë.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Soçit më 17 shtator e deri më tani në sulmet e regjimit kanë humbur jetën gjithsej 33 civilë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.
Opozitarët ushtarakë në kuadër të marrëveshjes, me 10 tetor tërhoqën armët e rënda nga rajonet e përcaktuara, ndërsa forcat e regjimit ende vazhdojnë sulmet./LAJMI.NET