Kreu i Komisionit të Ligjeve, deputeti Ulsi Manja, komentoi disa prej vendimeve të bujshme të organeve të drejtësisë, që kanë liruar nga burgu disa prej “kokave” të krimit, siç ishte ish-kreu i Bandës së Durrësit, Endrit Dokle, anëtari i kësaj bande, Sardian Sulejmani, si dhe Ergys Kolaverin të dënuar me 20 vite burg për atentatin me snajper nga burgu i Vaqarrit.
Manja hodhi akuza të forta ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke thënë se po shfaqin shenja papërgjegjshmërie, para se të kalojnë në sitën e Vettingut. Sipas tij, të gjithë njerëzit e drejtësisë, që kanë liruar nga burgu persona të rrezikshëm, do të japin llogari sipas Kushtetutës dhe ligjit.
“Nuk dua të paragjykoj vendimmarrjen e gjykatës, por me rëndësi për t’u theksuar është që institucionet e reja të krijuara nga Reforma në Drejtësi do duhet të ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura ligjore për ta qartësuar këtë situatë. Pushteti gjyqësor vërtet është i pavarur, por asnjë pushtet nuk është i pavarur nga Kushtetuta dhe ligji. Edhe gjykatat japin llogari, sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në rastin konkret, ILD, që shumë shpejt do fillojë nga puna, për këto raste do duhet të fillojë menjëherë inspektimin. Kushdo që ka shkelur ligjin duhet të marrë dënimin e duhur, qoftë dhe në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sepse, qëllimi i reformës në drejtësi ishte të pastrojë sistemin nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Shumë gjyqtarë e prokurorë që po presin të kalojnë në sitën e Vettingut kanë shfaqur shenja të abuzimit me ligjin. Në këtë fazë ku është Vettingu, sistemi po shfaq shenja papërgjegjshmërie, por secili rast do gjykohet”, tha Manja.
Më tej, deputeti socialist foli dhe për projektligjin e amnistisë, i cili u miratua sot në Komisionin e Ligjeve, duke thënë se është një ligj human, që përjashton nga vuajtja e mëtejshme e dënimit të gjithë ata persona që plotësojnë kriteret.
“Ishte një iniciativë e qeverisë, por amnistia është akt i vullnetit politik të Kuvendit, në finale, dhe qëllimi i saj është përjashtimi tërësisht ose pjesërisht nga vuajtja e mëtejshme e dënimit e të gjithë personave që plotësojnë kriteret e ligjit. Ligji merr në konsideratë vetëm dënimin, jo ndjekjet penale. Pra, nuk do ketë amnisti për çështjet që janë në ndjekje penale. Amnistia është akt human i Kuvendit. Kjo amnisti ka marrë në konsideratë sigurinë publike, të secilit prej nesh, të qytetarit, por edhe të shëndetit. Qëllimi është rehabilitimi dhe risocializimi i të dënuarve. Fokusi dhe qëllimi kryesor i kësaj amnistie janë gratë, vajzat dhe fëmijët.
Aktualisht, në Shqipëri janë mbi 5 mijë të burgosur, ku mbi 2 mijë janë të dënuar të formës së prerë, dhe pikërisht këto prej amnistia. Prej tyre 54 janë gra e vajza, 4 të mitur e pjesa tjetër janë burra dhe djem. Përfitojnë 175 të dënuar, nga të cilët 150 janë burra e djem, 23 janë të dënuara femra dhe 2 të mitur. Në momentin që hyn në fuqi ligji, këto lirohen menjëherë nga vuajtja e mëtejshme e dënimit.
Ndërsa, gratë, vajzat dhe të miturit që nuk përfitojnë, ju zbritet 1/3 e dënimit. Janë 29 gra e vajza që iu zbritet dënimi. Nuk përfitojnë një kategori e madhe të dënuarish për vepra me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Po ashtu, nuk përfitojnë përsëritësit në kryerjen e veprës penale dhe ata që i janë shmangur drejtësisë. Ajo që vlen për t’u theksuar është se kjo amnisti merr në konsideratë vetëm dënimin dhe jo ndjekje penale”, deklaroi deputeti.