Gjykata e Sarandës ka caktuar sot masën e sigurisë “Arrest me burg” për 41-vjeçaren Elisabeta Mita, historia e të cilës u bë publike në një emision investigativ, ku shihej se ajo dhunonte vajzën e saj 13-vjeçare. Ka qenë ish-bashkëjetuesi i saj Arjan Mekollari ai që ka denoncuar në emisionin ‘Fiks Fare’.
Gazetarja Shpresa Dine raporton për ‘BalkanWeb’ se trupi gjykues përbëhej nga gjyqtare Enkeleda Doda dhe prokuror Elidon Hysenaj, ndërsa është mbrojtur nga avokat Gjergji Imeraj.
Seanca e masës së sigurisë është zhvilluar me dyer të mbyllura, ndërkohë që në mjediset e gjykatës nuk ka pasur asnjë të afërm të të pandehurës. Ndërkohë, avokati i 41-vjeçares ka hedhur poshtë akuzat e ish-bashkëjetuesit, ndërsa ka pohuar se ky i fundit ka manipuluar situatën duke pretenduar se e pandehura dhunonte fëmijën e saj.
“Sapo ka mbaruar seanca dhe u vendos ndalimi i klientes time. Kjo shtetase ka pasur kontradiktë që në muajin shtator me ish-bashkëjetuesin e saj, Arjan Mekollari, i cili ka manipuluar situatën, duke paraqitur sikur kjo shtetase dhunonte fëmijën e saj.”, tha avokati, ndërsa shtoi se klientja e tij ka pohuar se video ka qenë e montuar.
Në këto regjistrime, nëna dëgjohej teksa qëllonte, shante dhe ofendonte vajzën gjithë kohës, ndërsa kjo e fundit qante me ngashërim. “Do të ther moj bushtër”, ishte një prej frazave të rënda të lëshuara nga goja e nënës për vajzën e saj.