Një 45-vjeçar Shqiptar u qëllua për vdekje mbrëmjen e së dielës në Romë të Italisë.
Gentian Kasa sipas mediave italiane, kishte marrë leje nga burgu për të takuar familjen e tij që jeton në kryeqytetin italian.
Mësohet se 45-vjeçari u qëllua në kokë dhe gjoks, duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Trupi i pajetë u konstatua nga vëllai i viktimës, i cili njoftoi forcat e policisë.
Kasa ishte një person me precedent të theksuar kriminal. Ai u prangos në vitin 2011 për drogë në Romë. Me të njëjtën vepër ishte arrestuar edhe 3 vite më pas në 2014 në Ankona.
Mediat nga përtej Adriatikut theksojnë se policia po përpiqet të rindërtojë lëvizjet e viktimës dhe kontaktet e orëve të fundit, për të zbuluar më tepër rreth kësaj ngjarje të rëndë.
Vrasja e tipit mafioz dyshohet se është porositur nga klanet rivale që ekzistojnë në Romë, kryesisht në Tufello dhe San Basilio, të cilat janë edhe epiqendra e trafikimit të paligjshëm të drogës dhe qenieve njerëzore.
Policia ka nisur hetimet për të rënë në gjurmët e autorëve, duke marr dëshmitë e familjarëve dhe njerëzve të afërt me të cilët shoqërohej viktima.
Në vendin e ngjarjes u sekuestruan edhe pamjet e kamerave të sigurisë për të parë nëse mund të kenë kapur momentet e lëvizjeve të autorëve para, gjatë ose pas krimit.