E shkuara e lavdishme dhe e tashmja ku ndihet rreziku i braktisjes.
Fshati ku qëndruan Lord Bajroni dhe piktori Eduard Lear, që u mrekulluan me ndërtimin dhe afresket e kishave.
Vendlindja e shumë personaliteteve të artit, kulturës, por edhe i patriotizmit, për të cilët vendasit ndihen krenarë.Udhëtim në Vuno, në një prej fshatrave bregdetarë të Jugut nga më të rrallët në Shqipëri për arkitekturën e veçantë e të rafinuar, urbanizimin, për historinë, protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, si dhe kontributin që ka në kulturën kombëtare.
Nuk dihet se sa mijë vjet më parë njerëzit u ndalën në këto anë dhe u mahnitën nga relievi i përthyer por mrekullisht i bukur. Pastaj hoqën gurët, ngritën ledhe e ndërtuan tarraca. Thuhet se vetëm për një hektar tokë atyre u është dashur të zhvendosin rreth 3000 metra kub gurë! Ishin njerëz të punës, me vështrim drejt së ardhmes, trima, të besës, plot pasione dhe shumë të bukur.
Banorët e Kaonisë, siç thirreshin në kohë të lashta, shtëpitë i ndërtuan rrëzë maleve si për t’u mbrojtur nga piratët e detit dhe për të kursyer ato ngastra toke që i përftonin me mund të madh.
U ngritën fshatrat e Rivierës, njëri më i bukur se tjetri, gati-gati qytete të vegjël, të gjithë në një harmoni të habitshme ndërtimesh, që i dallon në gjithë vendin.
Vunoi është një nga këto fshatra që i bën nder krahinës për historinë, protagonizmin në ngjarjet e mëdha të kombit, si dhe kontributin që ka në kulturën tonë kombëtare.
Fshati është vendosur në shpatullat e malit të Mjegulloshit, me shtëpi të gurta dy a tre katëshe, ku do të ndeshesh me atë dukuri që vëren Kadareja për Gjirokastrën “nëse do të rrëzohesh nga çatia e një shtëpie do të biesh në çatinë e një tjetre më poshtë!”
Ndërtesat “shohin” të gjitha nga deti, por pa ia zënë dritën njëra-tjetrës. Ato lidhen me rrugë të kalldrëmta duke krijuar një konfiguracion të përsosur, madje shpesh ato gjarpërojnë poshtë qemerëve mbi të cilat ngrihen shtëpitë e banimit.
Harqet dhe qemerët i sheh në faqet e jashtme të dyerve dhe dritareve, në raste të tjera
ato shërbejnë si konstruksione mbajtëse të kateve të mësipërme të shtëpive.
Banesat e fortifikuara, apo kullat, i gjejmë si në Vuno ashtu dhe në fshatrat e tjerë
të bregdetit. Kulla në lagjen e poshtme të fshatit,
një kompozim vertikal, me bazë katërkëndëshe, tri katëshe, me frëngji,
është shpallur prej vitesh monument kulture.
Në vizionin e ditëve të sotme të bën përshtypje fryma qytetare dhe ndjenja e
komunitetit, vizioni për një fshat “të të gjithëve”, ku “ligjet” e bashkëjetesës i kanë
respektuar pa marrë parasysh interesin e ngushtë të njërit a tjetrit.
Të gjithë thonë se në krye të fshatit kanë qenë njerëz të urtë e të mençur,
të drejtë e largpamës.
Dy shekuj më parë në familjen e njohur të Kasnecëve në Vuno qëndroi
Eduard Liri, piktor i njohur anglez: “U çudita me llojin e ndërtesave në Vuno
disa prej të cilave, si ato të Kasnecëve, në veçanti, qenë më tepër
si “palazzit” e shumë qyteteve provinciale në Itali”-shkruan Liri.
Më tej vazhdon: “Himarjotët përdorin gjuhën italiane më tepër se çdo banor
i Shqipërisë; të gjithë fshatrat që kam kaluar, ndonëse të krishterë,
janë të tërë shqiptarë me përjashtim të pak familjeve…
”Njerëzit e diellit të JugutKjo shprehje metaforike i ka rrënjët në legjendat e
hershme të këtij fshati.
Kështu prej shumë e shumë kohësh, nuk mbahet mend se kur, në kambanoren
e fshatit është një qiparis i vogël, që as hedh shtat, por as thahet.
Të moçmit thonë se është simbol i vazhdimësisë së jetës.
Tregime epike lidhen me përroin e Mardhës, në krye të kanionit të mrekullueshëm
të Gjipesë, ku u hodhën drejt vdekjes një tufë vajzash për të mos rënë në duar
të pushtuesve; thuhet po ashtu se Jeronim De Rada, me rrënjë të hershme nga Himara, i ka vendosur ngjarjet e poemës së tij “Këngët e Milosaos” në Skutara të Vunoit. Skutarai është një kodër në dalje të fshatit,
drejt Himarës, ku shihen ende gjurmët e një banimi të hershëm, një mjedis pastoral,
sikurse duken rrugët e gurta, shkurrnajat, lisat dhe poshtë bregu poetik i Jonit,
teksa pulëbardhat fluturojnë mbi det.Por nëse këto mund të merren edhe si pandehma
tashmë është e provuar se
Odise Kasneci nga Vunoi dhe Jani Kocani nga Dhërmiu morën pjesë në
Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.Në rrjedhat e kohërave vunjotësit kanë qenë të
ndjeshëm dhe aktivë ndaj ngjarjeve
historike, në krahinë, në tokën e të parëve të tyre, ashtu edhe te fqinjët, në Greqi,
gjë që jo rrallë e ka patur koston e vet.Në mesin e shekullit të shkuar ata morën pjesë
në luftën antifashiste, ku simbol i
fshatit mbetet Zaho Koka. Në reflektimet e ditëve të sotme ai është pa mëdyshje
hero dhe viktimë, pasi luftoi trimërisht kundër pushuesve, sikurse u bë kurban i atyre
me të cilët e bashkoi çlirimi i vendit. Zaho Koka në ato vite u lidh në një dashuri të
madhe me Ramize Gjebrenë, gjithashtu në forcat partizane, gjë që i kushtoi jetën si
njërit dhe tjetrit.Por mbi të gjitha Vunoi është vendi i arsimdashësve dhe njerëzve të
dijes, i
intelektualëve të shquar që i kanë dhënë shumë kulturës sonë kombëtare. Nga ky
fshat është Odise Grillo, shkrimtari i talentuar i letërsisë për fëmijë, autor i shumë
librave, këngëve, botimeve enciklopedike.Po të shkosh ditëve të verës në Jal,
një plazh i bukur dhe kurativ, do të takosh
regjisorin e madh, Dhimitër Anagnostin me të shoqen, aktoren e mirënjohur
Roza Anagnosti. Dhimitri është “djalë bregu”- siç thonë në ato anë – dhe krijimtaria
e tij i ka rrënjët në Bregdet, në historinë e familjes së tij e mbushur plot me patriotizëm.
Pa e tepruar mund të themi se Anagnosti është një personalitet dhe vepra e tij i bën
nder Vunoit, Himarës dhe gjithë Shqipërisë. Krijimtaria e tij është një gur themeli në
artin shqiptar që do t’u mbetet kohërave. Në vitet vitet ’30-të të shekullit të kaluar
shtëpitë e Anagnostëve ishin shkollë dhe internat, ku vinin vajza nga Jugu i vendit dhe
mësonin zanate: qëndismën, tezgjahun, gatimin.Nga ky fshat janë edhe aktorët e
njohur të teatrit dhe filmit shqiptar:
Robert Ndrenika dhe Anastas Kristofori. Ata kanë lënë një trashëgimi të pasur
rolesh, karakteresh, dhe pa mëdyshje janë produkt i shpirtit himarjot në gjithë gamën
e vet.Atdheu fillon nga pronaPamjet e fshatit të sotëm mund t’i gjeje edhe para
20 a 30 vjetësh, sepse Vunoi pak ka
ndryshuar. Thuajse po ato shtëpi, po ato rrugë, ku ndonjë ndërtim i ri më shumë ia ka
prishur bukurinë duke zhbërë atë traditë të mrekullueshme të ndërtimeve në Rivierë.
Kisha e fshatit u dogj gati 10 vjet më parë, në ditët kur kishte mbaruar restaurimi i saj!
-Kush i vuri flakën – pyeta një të njohur aso kohe.-Ne e ruajtëm në ditët më të vështira
…pyesni më mirë ata që shkuan! – dukej që burri
ish prekur në sedër.Si për ironi kisha kish qenë monument kulture!Para ca vitesh në
Jal të Vunoit u prishën disa ndërtime, pa leje, siç u tha, duke hedhur
në mes të detit miliona lekë të mbledhura me mund dhe djersë në mërgimin e vështirë.
Natyrisht shteti s’kish pse bënte sehir dhe një ditë të bukur të bënte gjëmën!
Të moshuarit jetojnë me brengën e viteve të rinisë, të asaj kohe të largët kur nga çdo
rrënjë ulli merrej gati një kuintal prodhim, kur në dimër bregu zverdhte nga portokallet
dhe gjithë vitit karvanët e ngarkuar me djersën e njerëzve të punës ngjiteshin në fshat.
“Kanë ikur djem e vajza, nuk punon më rinia dhe fusha ka mbetur e shkretë!”Të gjithë
në një emigracion të çuditshëm si jashtë ashtu dhe brenda vendit.Në fakt emigracioni
ka qenë pjesë e Vunoit, si edhe gjithë krahinës.
Po ai i shekullit të
kaluar ka qenë me të vërtetë dramatik. Në vitet ’60 kur kish mbaruar kolektivizimi filloi
braktisja e madhe: të gjithë donin të iknin dhe u turrën drejt Vlorës, Tiranës, Fierit,
Elbasanit, deri në Shkodër.Fusha, sakrificat e breznive të para nuk kishin asnjë kuptim
për të rinjtë që e ndjenin
veten të huaj në pronën e të parëve të tyre. Pas viteve ’90 ia behu braktisja e dytë më e
madhe dhe sot për sot gati e pakthyeshme. Kështu thuajse “të dy palët” ndihen
“të huaj” në vendlindje, madje jo rrallë e shohin njëri-tjetrin shtrembër, në mos me
armiqësi sepse ligji i jep të drejtë njërës palë të marrë pronë të prindërve të vet,
kurse tjetrës jo!Kështu shpeshherë të duket sikur Vunoi i takon së kaluarës, sepse
historinë, jetën,
të ardhmen e bëjnë njerëzit nën fjalën e mençur “atdheu fillon nga prona”
përndryshe s’u mbetet gjë tjetër veçse të mbeten të largët!.“Ne kemi mbetur në mes
të detit – më thoshte një emigrant nga Vunoi – dikur mësues.
Matanë, në Greqi, Itali a gjetkë ndihemi të huaj, por edhe kur vijmë këtu prapë të huaj
mbetemi.”“Na duket sikur na kanë vënë traun e kufirit në rrugën e Llogorasë!. Duam
të shkojmë,
po ku? Të tjerë po bëhen zot në djersën e të parëve tanë!