Ne një lidhje live me “Shqipëria live”, Eduart dhe Merushe Agalliu tregojnë se dy foshnjat kanë ndërruar jetë pasi kanë pirë qumësht kutie, të cilin ua sillte një shoqatë për t’i ndihmuar, pasi janë në kushte të vështira ekonomike.
Me kutinë në duar, Eduart Agalliu, babai i binjakëve tregon me lot në sy se si i ka puthur vogëlushët atë ditë për herë të fundit, para se të shkonte në punë. “I pashë babi, i putha që ju bëftë babi…pinë qumësht kutie, ja nga kjo kutia. Në fillim gruaja i dha njërit, pastaj tjetrit….ufff kur erdha nga puna më ra të fikët,”- shprehet ai.
“U ngrita si çdo mëngjes, ushqeva bebet me qumësht dhe i vendosa në krevatin e tyre për të fjetur. Piva kafen e mëngjesit dhe shkova të shikoj fëmijët. Njërin ia dhashë vjehrrës, i thashë ‘moj s’janë mirë kalamajt’….aty më ra të fikët,”- tregon Merushja.
Binjakët pesë muajsh ndërruan jetë para dy ditësh në banesën e tyre. Familjarët i dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore, por ishte e kotë, pasi zemra e foshnjave tashmë kishte pushuar.