Inxhinierja e njohur Luljeta Bozo/ Toka asnjëherë nuk ka për të gjetur paqe sepse kështu është i ndërtuar planeti ynë dhe sistemi diellor i ka këto

Specialistja e ndërtimit dhe inxhinierja, Luljeta Bozo vijon të jetë një zë qetësues për qytetarët shqiptarë, të cilët prej nëntorit jetojnë të frikësuar nga lëkundjet e vazhdueshme të tërmetit.

E ftuar në rubrikën “Opinion” në Neës24 me Ola Brukon, Bozo ka vijuar edhe sot misionin e saj, duke dhënë edhe disa këshilla të vlefshme.

Ajo tha se lëkundja e mbrëmshme e tërmetit në orën 21:15 minuta ishte një pasgoditje dhe të tilla do të vazhdojnë ende për një kohë të pacaktuar. Bozo theksoi se duhet të bëhet shumë në aspektin e edukimit të qytetarëve për këtë çështje.

“Toka asnjëherë nuk ka për të gjetur paqe sepse kështu është i ndërtuar planeti ynë dhe sistemi diellor i ka këto. Janë fenomene shumë të zakonshme brenda rruzullit tonë tokësor. Rruzulli është i përbërë nga jonosfera që çlirojnë energji të jashtëzakonshme dhe kjo energji shkon drejt pjesës sipërfaqes ku ndodhet korja tokësore. Kjo kore është këputur dhe janë krijuar 6 pllakat e famshme. Janë fenomene që ndodhin vazhdimisht. Është normale që gjithë kjo energji që grumbullohet kur është në një sasi të madhe dhe e gjen zonën të dobësuar në sipërfaqe ndodhin.

Kjo është normale dhe këtë insistoj në takime me njerëzit. Duhet të bësh shumë në aspektin e edukimit. Këta që janë sot 40 vjeç nuk e kanë përjetuar dhe iu duk qamet i madh. Ne jemi në një territor që është shumë sizmik”, tha Bozo.

Sipas inxhinierës së famshme dhe shumë të dashur për shqiptarët, tërmeti me magnitudë 4.9 i regjistruar një natë më parë ishtë një paslëkundje dhe është i gjithë proces i tërmetit të 26 nëntorit.

“Kjo energji çlirohet në mënyrë shumë brutale. Ka një paralajmërim të vogël. 21 shtatori ishte një lloj paralajmërimi. Para se të ndodhte pati një lloj paralajmërimi. Kjo energji nuk çlirohet dot menjëherë, do kohën e vetë. Varet nga shumë aktorë. Në çfarë thellësie çlirohet, sa është çarja tektonike. Ne kemi zonën e Mesdheut ku bien 25% e tërmeteve. Nga studimet që kanë bërë sizmologët tanë, ata parashikuan që tërmetet si i 1979 përsëriten pas 40 vitesh, tërmete të kësaj natyre. Se territori ynë ka pasur dhe tërmete shumë më të fuqishme. Qameti është nëse ne nuk marrim masa që të mbrohemi. Tërmeti i 21 shtatorit mund të ishte një paralajmërim. Çfarë janë pas 26 nëntorit janë pasgoditje. Nëse shikoni kurbën, të gjitha kanë vlerën më të vogël se ai”, theksoi zonja Bozo.

Sipas saj, më të rrezikshme për strukturat janë lëkundjet horizontale. “Vertikalja është në epiqendër. Sa më simetrike të jetë planimetria aq më i sigurt është objekti. Nëse hyn në përdredhje struktura është shumë e rrezikuar”, u shpreh ajo.

Bozo qartësoi se tërmete si i mbrëmshmi mund të dëmtojnë banesat që janë dëmtuar ndërkohë nga lëkundjet e mëparshme ndaj dhe banorët nuk duhet të hyjnë në to.

“Njerëzit ku ekspertët e kanë deklaruar objektin të pabanueshëm në asnjë mënyrë nuk duhet të futen brenda. Nuk duhet rrezikuar. Edhe atje ku janë bërë dëmtime nga tërmeti i 26 nëntorit, jo shumë të rënda por të riparueshme as atje nuk duhet të futen. Kurse atje ku nuk ka dëmtime nuk kanë pse të dalin nga shtëpitë”, u shpreh Bozo.

Sa i përket parashikimit nga vetë institucionet se në Turqi do të ketë një tërmet dhe më të fuqishëm se ai i para disa ditëve në pjesën Lindore, Bozo tha se kjo varet nga historiku.

“Në Stamboll e bazojnë, ma merr mendja se kanë ekip shumë të mirë të sizmologëve e inxhinierëve, në historikun e tërmeteve që kanë rënë në shtetin e tyre. Do të thotë që po afrohet periudha siç e prisnim ne. Unë e prisja p.sh. një tërmet si i vitit 1979. Ua kam thënë studentëve. Ata e bazojnë diku këtë thënie. As ai nuk e thotë se kur por thotë se mund të presim”, u shpreh ajo.

Bozo tha se nuk i beson teoritë konspirative se tërmetet mund të shkaktohen nga dora e njeriut.

“Jo. Nëse bëhet një shpërthim bërthamor në një thellësi të caktuar që imiton ndonjë tërmet të fuqishëm por nuk besoj. Këto janë fenomene natyrore periodike. Është një histori miliona vjeçare, janë disa epoka, ku janë formuar gjithë malet, gjithë ajo energji e madhe ka arritur ta rrudhosë koren që janë bërë malet. Ose ka çliruar energji në material të lëngshëm, vullkanet, ka vargmale pafund. Këto janë forca të natyrës që njeriu është mirë t’i dijë e t’i njohë që të jetë i qetë”, deklaroi Bozo./bw

Loading...