“Kam qenë dhe jam tepër i vendosur për marrëdhënie sa më të ngushta sa më miqësore me të gjithë fqinjët dhe padyshim edhe me Greqinë”, deklaroi sot në mbrëmje, Presidenti Ilir Meta, duke folur lidhur me çështjen e ndarjes së detit.
Në emisionin Opionin, i pyetur se pala greke ka drejtuar gishtin ndaj tij si njeriu që po e pengon këtë marrëveshje, Meta tha se “unë do t’i bëj shërbimin tim me përkushtimin maksimal kësaj marrëdhënieje edhe me Greqinë, duke marrë përgjegjësitë e mia në radhë të parë në respekt të Kushtetutës së vendit tim dhe të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
“Nuk dëshiroj të merrem me pretendimet e askujt, pasi nuk dua të bëhem pjesë e spekulimeve dhe as e përpjekjeve për të kompleksuar Presidentin e Shqipërisë, që të respektojë Kushtetutën e vendit të tij dhe interesat kombëtare të vendit tim”, deklaroi ai.
I pyetur se përse e firmosi vetëm pas një viti dekretimin e kreun të Shërbimit Informativ Shtetëror, Helidon Bendo, Presidenti tha se “nuk më ka pëlqyer mënyra se si është bërë dorëheqja e ish-kreut të SHISH-i si një fakt i kryer dhe kam pritur me qetësi për të parë se si do të performonte nëndrejtori, i cili ishte i propozuar për t’u bërë drejtor”.
Ai sqaroi se e kishte ndjekur me shumë vëmendje aktivitetin e z.Bendo duke qnë mjaft korrekt në detyrën e tij. “Dëshiroj që me këtë dekretim të përmbushi edhe më mirë ky institucion detyrat e tij në një kohë kur duhet të shtojmë mprehtësinë, ndjekjen dhe parandalimin e gjithçkaje, që mund të na cenojë”, nënvizoi Meta.
I pyetur se pse nuk e dekretoi ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj që në momentin e parë që iu propozua nga kryeministri Rama, Meta sqaroi se “Kushtetuta ka qenë dhe është shumë e qartë për pajtueshmërinë e një funksioni të tillë civil dhe politik me të qenurit ushtarak aktiv”.
Presidenti ka folur edhe për marrëdhëniet me kryeministrin Edi Rama. Ai tha se me Ramën ka marrëdhënie të mira personale, por që sipas tij, ato që vlejnë janë raportet institucionale.
“Kjo është diçka e parëndësishme. Unë kam pasur marrëdhënie shumë të mira, kemi pasur edhe marrëdhënie problematike. Në detyrën që jam, për mua historitë e së kaluarës dhe raportet personale me asnjë nuk vlejnë. Për mua vlen sjellja institucionale, qëllimi i përbashkët për të cilin duhet bashkëpunuar. Prioriteti im në raport me të gjithë në këtë detyrë është bashkëpunimi institucional. Çfarëdolloj çështje që të diskutohet nuk ka rëndësi. Kjo nuk i intereson askujt se çfarë pimë ne, kafe apo kakao në kuptimin personal, apo se çfarë shakaje bëmë.”-u shpreh Meta.
Meta ka rrëfyer se me kryeministrin Rama do pranonte të bënte ecje në Jug.
“Meqenëse ai kalon më shumë kohë në Jug, pasi edhe ka pasione, edhe ka ato lidhjet më të shpeshta, për të lehtësuar atë, pa për mua në çdo kohë, kudo në Veri ose në Jug”, tha Meta.
Gjatë emisionit, presidenti u ndal edhe tek rëndësia për ndërgjegjësimin e njerëzve për bukurinë e zonave nga vijnë dhe mundësitë për të zhvilluar turizmin familjar.
“Uunë besoj se janë të gjitha mundësitë dhe ky fenomen po vihet re, që shumë njerëz të cilët dikur në vitet ‘90 ishin në moshën 30- 40 vjeç e tani janë në prag të pensionit, fëmijët e tyre janë rritur, janë bërë të pavarur dhe shikojnë mundësinë për t’u rikthyer, për të riparuar shtëpitë e vjetra, jo vetëm për të jetuar në këto zona për shkak të bukurive, të klimës, nostalgjisë, por njëkohësisht edhe në funksion të turizmit”, tha Kreu i Shtetit. Sipas tij, bujqësia dhe turizmi janë dy burime kryesore të një zhvillimi të qëndrueshëm të vendit tonë.
Gjithashtu, Meta tha se nuk e përjashton mundësinë e një mandati të dytë si president
“Unë as nuk e përjashtoj dhe as nuk e planifikoj. Thjesht jam duke përqendruar të gjitha energjitë e mia për realizimin me sukses të këtij mandati”, tha Meta. /a.g/