Stresi telefonon nga burgu:Ndihem shumë mirë këtu (mesazh Keisit)

Herë pas here reperi i njohur Arkimed Lushaj bëhet i gjallë edhe pse ndodhet pas hekurave. “Bad boy for life” ose “djali i keq përjetë” ka habitur me një telefonatë në emisionin e mëngjesit “Aldo Morning Show”.

I habitur jo më pak ka mbetur dhe vetë Aldo kur reperi është prezantuar. “Live nga burgu i Fushë-Krujës. Arkimed Lushaj nga burgu i Fushë-Krujës”, ka thënë reperi.

Me shumë humor dhe pse në burg, Stresi ka thënë se ndodhet në burg për t’u rehabilituar.
“Janë 450 të burgosur që po presin këtë telefonatën dhe po ju shohin live tani. Po qesh i gjithë sektori. Kam ardhur këtu për t’u rehabilituar pak. Ndihem shumë mirë këtu. Gjithmonë djali i prapë, por djali me shpirt të mirë. Mora thjesht për të dëgjuar zërin dhe për t’ju thënë jeni shumë të mirë dhe më mungoni këtu ku jam”, është shprehur Stresi.

Kur Aldo e pyet se kur do të bëhet gjyqi, apo kur do të dalë, Stresi përgjigjet: “Tani drejtësia shqiptare, kemi besim. Ata e dinë se unë jam i pafajshëm. I gjithë burgu po pret amnistinë. Duhet të ketë para vitit të ri. Ka shumë të burgosur që janë kot këtu. Drejtësia këtu te ne blihet me lek”.

Reperi tha gjithashtu se nuk do të jetë në “Kënga Magjike” fizikisht, por do e ndjekë nga burgu.
Nuk ka munguar edhe një mesazh për bashkëshorten e tij, Keisin, e cila vazhdimisht ka mbështetur partnerin e saj. “Mos u dorëzo sepse do shihemi shumë shpejt”, i tha Stresi gruas së tij./Balkanweb/

Loading...