Ikona e muzikës shqiptare, Nexhimje Pagarusha, është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare, duke lënë një hidhërim të madh tek të afërmit dhe pëlqyesit e muzikës së saj.
Kolegë e familjarë kanë shprehur ngushëllimet e tyre për këngëtaren e famshme, e cila do të lërë gjurmë përjetë në historinë e muzikës shqiptare.
Hidhërim të thellë për humbjen e Pagarushës ka ndjerë edhe Ardit Gjebrea, i cili ka ndarë në llogarinë e tij në Instagram një foto me këngëtaren.
Krahas postimit, Gjebrea i dedikon bylbylit të muzikës shqiptare fjalë të cilat na rrënqethën mishin.
“Unë sot dua të të kujtoj kështu dhe jo vetëm sot, por gjithë jetën. E mira, e ëmbla, lozanjarja ime.
Të gjithë sot humbën artisten e madhe, njeriun e familjes, bashkëudhetaren speciale, ndërsa mua m’u këput filli që më lidhte me shpirtin binjak, me një shpirt si ai i yti që pata fatin ta njoh, ta jetoj dhe të ma falje sa herë isha dhe nuk isha me ty.
Kush tha që u shua bylbyli?
Zë si i yti, është nga ata që e kanë jetën eterne.
Më sëmbon zemra tani, por e di që je diku këtu, me mua, që aq shumë të dua!”- shkruan Arditi krahas fotos së tyre.
Bilbil i muzikës shqiptare do të jehojë gjithnjë në kujtesën e kombit me këngët e famshme “E dehun jam”, “Baresha”, “Ani mori nuse”, “Mora testin”, “Dallëndyshe” dhe shumë hite të tjera.