‘Ne nuk mund të qëndrojmë para portës së Europës dhe të përgjërohemi, hapet apo nuk hapet ajo, Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e shtetit të së drejtës dhe reformave’

“Ne nuk mund të qëndrojmë para portës së Europës dhe të përgjërohemi, hapet apo nuk hapet ajo, Shqipëria do të vazhdojë në rrugën e shtetit të së drejtës dhe reformave”, siguroi kryeministri Edi Rama në një intervistë për agjencinë franceze të lajmeve, AFP.

Nën shtysën e Francës, Danimarkës dhe Holandës, BE refuzoi në tetor hapjen e negociatave të pranimit me vendin e vogël ballkanik prej 2,8 milionë banorësh, si edhe me Maqedoninë e Veriut.

Sot, militantët e zgjerimit shpresojnë të kenë një dritë jeshile për këto bisedime, para Samitit të Zagrebit për Ballkanin Perëndimor.

“Unë nuk pres gjë nga këto bashkëbisedime”, u shpreh me një frengjishte të kulluar, Edi Rama, një europian i bindur.

Me lëshime nga Parisi dhe të tjera kryeqytete të tjera skeptike, Komisioni Europian propozoi një ashpërsim të procesit të zgjerimit.

Brukseli do të paraqesë në fund të shkurtit një raport të ri për përparimet në fushën e reformave në Tiranë dhe Shkup.

“Ne duhet të bëjmë ato gjëra që duhet të bëjmë, cilatdo qofshin vendimet europiane. Kjo është e vetmja rrugë e arsyeshme, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe të këtij vendi”, vazhdoi kryeministri Rama.

“Procesi i zgjerimit, si reformë mbi funksionimin e vetë bllokut, përmban tema që nuk kanë lidhje fare me Tiranën”, vëren ai.

“Është e rëndësishme që Europa të ndryshojë. Është e qartë që në këto çaste ajo po vuan, nuk po funksionon ashtu siç duhet”, thotë Rama.

“Nuk duhet të vazhdojmë të jetojmë më në këtë psikozë të pritjes së gjërave, mbi të cilat vendi nuk ka mundësi kontrolli”, vazhdon më tej Edi Rama, që drejton qeverinë shqiptare prej shtatë vitesh.

– E bëjmë për veten tonë –

Të 27 vendet anëtare, ku opinioni publik është ndonjëherë armiqësor kundër idesë së pranimit të vendeve të varfra, i kanë kërkuar Tiranës forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar edhe përparime në shtetin e së drejtës.

Që nga 2016 është në proces një reformë e sistemit të drejtësisë. Pasuria e gjyqtarëve dhe prokurorëve po verifikohet.

“Shqipëria ka bërë më shumë se të gjitha vendet e tjera për hapjen e negociatave”, këmbëngul piktori 55-vjeçar, me një pallto të zezë të gjatë, të një lloji pak të veshur nga liderët politikë, dhe me atlete të bardha.

“Por, ajo do të vazhdojë të bëjë detyrat e saj të shtëpisë, sepse ne nuk i bëjmë për ata, por për veten tonë’’, shton ai.

Për më tepër, për të bindur partnerët e tij europianë për seriozitetin e përpjekjeve të saj, qeveria sapo ka miratuar një dekret për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar, për të konfiskuar sidomos pasuritë e pajustifikuara.

Paralelisht, pas një tërmeti shkatërrimtar në fund të nëntorit, ku humbën jetën 51 persona dhe u dëmtuan më shumë se 80 000 ndërtesa, qeveria i propozoi parlamentit të forconte përgjegjësinë kriminale të gjithë industrisë së ndërtimit.

Me afrimin e një konference donatorësh që do të zhvillohet në Bruksel, më 17 shkurt, për të ndihmuar në përpjekjet për rindërtim, autoritetet thonë se janë të vendosur për t’i dhënë fund viteve të tëra të një urbanizimi të egër, sidomos në zonat turistike bregdetare.

“Ne e vlerësojmë dëshirën për të organizuar këtë konferencë dhe shpresojmë të jemi të suksesshëm”, thotë Rama.

Vlerësohet se dëmi është një miliard euro, por Tirana nuk shpreson që kjo konferencë të mbulojë të gjitha shpenzimet. Për rindërtimin do të përdoret edhe buxheti i shtetit dhe Shqipëria ka planifikuar edhe marrjen e huave në bono thesari.

“Është një mundësi e madhe për vendin që të japë shembuj të një mënyre tjetër të vepruari dhe ne do t’i japim”, deklaroi ai.

“Por, të thuash se shqiptarët do të bëhen suedezë, unë mendoj se kjo gjë nuk ka për të ndodhur”.

Loading...