Policia ka vazhduar kontrollet edhe gjatë mbrëmjes së djeshme në lidhje me sekuestrimin e automjeteve luksoze.
Pika kontrolli janë vendosur në akse të ndryshme të rrugëve nacionale të qarkut të Gjirokastrës.
Nga ky operacion janë sekuestruar 10 automjete luksi të cilat janë gjetur me probleme në dokumentacion si dhe jane shoqëruar 9 persona.
Gjatë këtij operacioni ditën e djeshme ka qenë i pranishëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.
Një nga porositë që Veliu la gjatë mbledhjes në DVP Gjirokastër ishte ‘sa më shumë pika kontrolli për të goditur mjetet e parregullta dhe ato të luksit por edhe ndalimin e personave në kërkim.’ Në vijim të Operacionit Forca e Ligjit, në zbatim të ligjit special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 19 të Aktit Normativ nr. 1, datë 31.01.2020, nxorri urdhrat e sekuestrimit në kushtet e emergjencës për disa automjete të blinduara, të cilat u sekuestruan gjatë operacionit.
Automjetet e sekuestruara janë në pronësi të shtetasve:
S. T., banues në Lushnjë, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
D. Gj., banues në Durrës, i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore;
D. B., banues në Krujë, i dënuar për veprën penale “Vjedhja me armë”;
Operacioni vijon dhe OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.