Sot Nexhmije Hoxha mbush 99 vjeç por i befason dhe sfidon të gjithë me këtë gjë…!

Sot më 8 shkurt 2020, Nexhmije Hoxha mbush 99 vjeç.

Në prag të këtij përvjetori ditëlindjeje, Nexhmija i befason dhe i sfidon të gjithë duke botuar librin mbase më të rëndësishëm të jetës së saj.

Libri i sapobotuar i Nexhmije Hoxhës ka një titull të thjeshtë dhe simbolik njëherësh: “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”.

Këtë libër e shkruan e shkruan një ish luftëtare antifashiste, ndër të rrallët të mbijetuar sot e kësaj dite. Por edhe gruaja e Enver Hoxhës, që ka ditur dhe di më shumë se ish-udhëheqësit komunistë.

Në një farë mënyre ajo është çelësi i fundit i shumë enigmave të një regjimi që sot anatemohet maksimalisht, por që edhe nga shumëkush kujtohet me nostalgji.

Një dëshmitare autentike e më shumë se 70 viteve të Shqipërisë moderne që flet.

Është një ngjarje që nuk mund të shmanget, nga historianët sidomos.

Ky libër mendoj se do t’u vlejë atyre.

Nexhmije Hoxha ka botuar gjashtë libra brenda 20 viteve të fundit. Një në afro tre vjet. Por pa asnjë dyshim ky është libri më i kompletuar i saj. Është një histori mbi 70-vjeçare në rreth 500 faqe.

Enver Hoxha është personazhi kryesor në këtë libër. Më pas, ata në krah të tij në të përpjetat e historisë shqiptare, si Mehmet Shehu, Hysni Kapo e Ramiz Alia.

Nexhmije Hoxha si askush tjetër në këto 30 vitet e fundit me këtë libër ka bërë të pabërën si asnjë ish-udhëheqës tjetër komunist i kohës. Ia ka kaluar edhe Ramiz Alisë, pasardhësit të Enverit. Pa le më ish-udhëheqësve të tjerë komunistë, ish-anëtarëve të Byrosë Politike që jo vetëm nuk shkruan asnjë rresht, por edhe që ikën nga kjo botë sikur të mos kishin ekzistuar kurrë.

Nuk do të jenë të paktë ata që do e kontestojnë. Por mendoj se do të jenë më të shumtë ata që do ta miratojnë, pavarësisht nëse u pëlqejnë apo jo mendimet e saj.

Nuk mund t’ia mbyllë gojën kurrkush. Unë hyj tek ata që thonë: shumë mirë që na lë një dëshmi autentike dhe të patjetërsueshme.

Heshtja e saj do të ishte e dyshimtë dhe do të ngjallte më shumë diskutime dhe hamendësime të gabuara se sa vetë botimi i këtij libri.

Nuk mund të vihet në dyshim bindja ekstreme e saj se shoqëria komuniste ishte dhe do të mbetet më e mira jo vetëm për shqiptarët, por edhe për mbarë shoqërinë njerëzore.

Indoktrinimi komunist ka një dozë të justifikueshme në historinë që përshkruan autorja në librin e saj që do ta konsideroja testamentar.

Por, në zhvillimet bashkëkohore të pas kolapsit të regjimeve komuniste, argumentet janë më së shumti në favor të autores.

Për komunizmin shqiptar është folur dhe do të flitet pambarimisht gjatë. Pse erdhi? Kush e solli? Pse Enver Hoxha? Përse në Shqipëri regjimi komunist e pati jetën më të gjatë se në vendet e tjera europiane dhe përse lëvizja antikomuniste vonoi aq shumë? Aq më tepër kur pohojmë se në Shqipëri komunizmi ishte më i egër se në çdo vend tjetër të Europës?

Ata që i duan këto përgjigje duhet ta lexojnë edhe Nexhmije Hoxhën.

Shteti totalitar është i keq, nënvizon politologu amerikan Robert Nisbet, por ne thjesht gënjejmë veten po të mos pranojmë se në të ka elementë të një racionaliteti shumë të fuqishëm.

Gjatë regjimit diktatorial komunist u bë kapërcimi epokal i zhdukjes së analfabetizmit, deri te arsimimi i gjithë popullsisë dhe ngritja e Akademisë Shkencave dhe universiteteve. U krye një emancipim shoqëror, lindi dhe u zhvillua një kulturë e re, u bë elektrifikimi i Shqipërisë, industrializimi i vendit dhe bujqësia u zhvillua si kurrë ndonjëherë. A mund të mohohen këto arritje? U bëmë shtet! Një shtet që na kishte munguar. Dhe nga mungesa u bëmë jo vetëm të përfillshëm, por edhe me një autoritet të pashmangshëm botërisht.

Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar që e ka jetuar atë kohë dhe të mund të mohojë ato arritje që u realizuan me aq shumë mund e sakrifica.

Shtet i diktaturës së proletariatit, sipas ideve të Marksit dhe Leninit? Natyrisht. Ajo ishte dhe mbeti për shumë kohë ideologjia më përparimtare e kohës. Për dekada me radhë. Këtë komunistët nuk e kanë mohuar asnjëherë.

Madje vitet e fundit nuk janë të paktë edhe filozofët më në zë të kohës (Sllavoj Zhizhek, për shembull) që mendojnë se pavarësisht një dështimi të përkohshëm, komunizmi vazhdon të mbetet një shpresë e madhe për njerëzimin.

Nuk e mohon as Nexhmije Hoxha në librin e saj të sapobotuar.

Nuk po mbroj aspak Nexhmije Hoxhën në këto që po shkruaj.

Më duket në kufijtë e së pamundurës t’i bëj apologjinë mendimeve dhe ideve të saj në këtë libër. Fatmirësisht edhe në prag të një shekulli të jetës së saj, ajo është në kthjelltësinë e admirueshme t’ia bëj bëjë vetë apologjinë regjimit komunist, Enver Hoxhës, por edhe vetes.

Ky libër është një apologji e komunizmit. Me një nëntekst të dukshëm se ëndrra komuniste nuk ka vdekur as në Shqipëri dhe as në botë…

Loading...