Ekzekutimi në Vlorë i togerit S.H.
Të vjetrit tregojnë se kur është ekzekutuar në “Pusin e Mezini”t, togeri S. H, një numër i madh burrash nga Vlora kanë shkuar për ta parë nga afër të ekzekutuarin.
Togeri ishte i njohur dhe i urryer në Vlorë, për dhunën që ushtronte në kërkim të mbledhjes së floririt, kryesisht në radhët e popullsisë çame.
Në vitin 1950, ai do të vriste të parin, M. V, teksa ky i fundit ndodhej në kodrën e Topanasë, kur pasi e vrau i kontrollonte xhepat se mos o gjente flori.
Shtetasit I.B. do t’i merrnin 400 napolona flori dhe nuk do t’i jepnin asnjë dokument, ndërkohë që edhe pse do t’i merrnin floririn do ta dënonin përsëri me nje vit burg.
Në vitin 1947, shtetases N.S. e cila kishte mbetur e ve me një djalë 7 muajsh në gji, pas presioneve e dhunës së ushtruar për të nxjerrë floririn e fshehir, do t’i merrnin edhe monedhën e vetme të floririt që do t’i gjenin në shtëpi.
Rastet e shumta të dhunës deri në vrasje të këtij togeri do ta detyronin pushtetin komunist që të merrte dënimin kapital për togerin i cili në vitet e mbledhjes së floririt nga vet pushteti ishte kthyer në tmerrin e banorëve që e zotëronin floririn, kryesisht të popullsisë çame në zonën e Vlorës.