Mediat Franceze njoftuan 4 ditë më parë se një i burgosur është gjetur pajetë në burgun e Plomeur të Francës.
Viktima eshte Mentor Rexha 36 vjeç nga Lezha. Mediat franceze raportuan se sipas grupit hetimor ka gjasa që 36 vjeçari të jetë vetëvrarë brenda qelisë.
Sipas medias franceze, i riu ka ndërmarrë aktin ekstrem në orët e para të mëngjesit të datës 1 shkurt. Por familjarët e të riut kanë ngritur dyshime se të afërmin e tyre e kanë vrarë brenda burgut ku ndodhej prej pak muajsh.
Familjarët kanë dyshime të forta që është dhunuar nga gardianët e burgut.
E motra e të riut ka deklaruar se vetëm ditët e fundit janë lejuar që ta shohin trupin e Mentorit në morg.
“Fillimisht më kërkuan që të firmos një shkresë pa parë trupin, por nuk pranova”, ka thënë ajo.
Sipas motrës së 36 vjecarit, vetëm pasi ka shkuar vetë në morg, ka arritur të konstatojë shenjat e dhunës. Ajo madje ka mundur të fotografojë plagët në trupin e vëllait të saj.
Ndërkohë në familjen Rexha janë hapur dyert e mortit, por ende trupi i 36 vjecarit nuk është kthyer pranë familjes.
Përmes një postimi në rrjetet sociale motra e 36 vjecarit mes dhimbjes shkruan:
“Vellai jeme Mentori shpirti motres, ca qe kjo dhimbje more vella, qe u ndave nga jeta ne nje mosh te ri, O shpirti motres qa na bane keshtu, motra priti qe te shof me nuse jo keshtu, Zemra motres. Mallku qofte ajo Franc qe ta mori jeten ty, shpirti motrs, qosh i Xhenetit Zemra Shpirti motres, Mentor Rexha”.
Sipas mediave franceze i riu është gjetur nga rojet e sigurisë, i varur brenda në qelinë e tij, ndërkohë që kanë filluar hetimet për të gjetur shkaqet e vdekjes.
Rasti i fundit i nje ngjarje te ngjashme, ishte ai i Florenc Beqiraj në dhjetor të 2017.
Autoritetet franceze deklaruan se Florenc Beqiraj ishte vetëvrarë në burgun e Marsejës në Francë, por 23 vjeçari Beqiraj, sipas familjarëve, ishte dhunuar. Ne fakt Florenc Beqiraj vdiq ende në rrethana të paqarta në spitalin Nord të Marsejës