Nga Olsjan Laskaj
“Paketa fiskale e vitit 2019, korrigjon problemet me evazionin fiskal”, – deklaroi në një intervistë për ATSH, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, Ines Muçostepa.
Sipas saj, paketa fiskale ka përmirësuar edhe nivelin e taksimit të pagave për shtresën e mesme.
“Është një pakete e cila prek TVSH-ën, në ato sektorë të cilët konsiderohen prioritare është një paketë, e cila ka prekur edhe të ardhurat. Ka prekur pagat e larta, një çështje kjo e diskutuar prej kohësh përsa i përket faktit që tatohej më shumë pjesa intelektuale. Tashmë kjo fashë e ngritur në 150 mijë lekë, do të jetë një ndihmë shumë e mirë pikërisht për shtresën intelektuale”, – nënvizoi Muçostepa për ATSH.
Për kryetaren e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë të Shqipërisë, paketa fiskale ka bërë një ndërhyrje pozitive edhe në sektorin e minerar duke stimuluar përpunimin e kromit në vend.
“Për sa i përket rentës, lidhur me sektorin e kromit është vlerësuar si pozitive rritja e kësaj rente, pasi është pozitive të risim përpunimin e produktit të kromit në Shqipëri”, – tha ajo për ATSH.
Sipas Muçostepës, qeveria ka hedhur një hap të rëndësishëm përsa i përket pasurive kombëtare siç është edhe sektori minerar i kromit.
“Patjetër që duhet të vlerësojmë pasuritë kombëtare, dhe ky është një hap goxha i rëndësishëm”, – përfundoi Muçostepa. /e.xh/ /o.l/./a.g/