Arrestohet “shoqëruesi” i Tsipras – 28-vjeçari, grek me origjinë shqiptare

Policia greke ka arrestuar një 28-vjeçar, nën akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtare dhe dhënien e një deklarate të rremë.

Sipas policisë, 28-vjeçari grek me origjinë shqiptare është arrestuar në lagjen “Ambeloqipi” të kryeqytetit helen.

Emri i tij nuk bëhet publik për momentin, por ai u arrestua pasi pak ditë më parë iu kishte deklaruar dy policëve rrugorë në Athinë se bënte pjesë në togën e shoqërimit të kryeministrit grek, Alexis Tsipras, madje iu kishte treguar atyre edhe dokumentet përkatëse, të cilat rezultuan se ishin të falsifikuara.

28-vjeçari qarkullonte në zonën ku edhe banonte, i armatosur me një pistoletë me pilula ajri, radiomarrëse/dhënëse të policisë, e sinkronizuar me frekuencën e policisë greke, pranga, një uniformë policie, një motoçikletë pa targa e ngjashme me ato të policëve që shoqërojnë personalitetet VIP, çelësa autoveturash te ëarkave Mercedes dhe Jeep, si dhe dokumente false, sipas të cilave dukej se ishte pjesë e shërbimeve sekrete dhe policisë.

Për kapjen e tij u vu në lëvizje pothuajse e gjithë forca e Drejtorisë së Policisë së Atikës, ndërsa përshkrimi i 28-vjeçarit ishte shpërndarë në të gjitha postat e policisë greke.

Agjentët dyshonin se kishin të bënin me një person të rrezikshëm, i cili rrezikonte sigurinë e kryeministrit, por pasi i vunë prangat, vunë re se kishin të bënin me një mitoman, i cili ëndërronte të bëhej polic.

28-vjeçari do të dërgohet në gjykatë për masë sigurie gjatë paradites së të shtunës, që ndërsa dënimi i parashikuar shkon deri në 3 vite heqje lirie.

Loading...