Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është përplasur me deputetin Lefter Maliqi, teksa ishte thirrur në interpelancë në Kuvend për situatën e krimit në vend.
Teksa ministri Lleshaj tha se krimi është luftuar dhe goditur dhe se situata nuk është më si më parë, ka replikuar deputeti Maliqi, duke thënë se situata në të vërtetë është shumë më keq, pasi sipas tij, shteti po bashkëpunon me krimin.
Lefter Maliqi: Z. ministër, ato zgjedhjet lokale mos i përmend më, se dhe ato kryebashkiakët që keni aty, ca po ua rrahin, ca po iu ikin nga dekriminalizimi. Thatë që situata është përmirësuar, krimi është vënë pas hekurave, disa citate e poezira… Në vendin tonë, njëri u vra me snajper, e krimineli nuk është kapur. T’u lidh një grua atje, e nuk dihet kush e bëri. Nuk dihet ku janë kockat e atij që u rrëmbye. Po iu hidhen tritole shefave të policisë, grabitje në Durrës, e më pas plagoset i zoti i shtëpisë, vrasje në Tropojë… pra, nuk di çfarë të thuash me këtë situatë. Ju nuk doni t’ia dini. E katandisët këtë vend.
Si mund ta përdorësh ti gazin lotsjellës ndaj nënës, fëmijës, gruas. Njëherë thua nuk kemi marrë bomba e granata nga Kosova, tani thua që kemi marrë. Po ti nuk ke faj, se ti nuk e ushtron dot rolin e ministrit.
Lleshaj: Nuk ka emergjencë, edhe ligji që bëmë kundër krimit nuk paraqet aspak emergjencë në vend. Ai është një ligj, që administron masa administrative kundër pasurisë së krimit. Emergjente është vetëm se pasuria e krimit nuk është prekur. Edhe akti normativ kërkon të zgjidhë çështjet e pasurive të pajustifikuara.
Maliqi: E ke kthyer policinë e shtetit, duke vendosur gjoba vend e pa vend, duke mbështetur institucionet për prishje banesash në mënyrë arbitrare, ndërkohë që janë larg detyrës së tyre për zbulimin e krimit. Po të dojë shteti, për një muaj vendoset rendi në Shqipëri. Nëse këta nuk bashkëpunojnë me krimin, nuk i dëgjojnë kriminelët për emërime, jeni të sigurt që krimi nuk zë vend. Po përmend të ndjerin Sokol Olldashin, që vuri në pranga të gjitha bandat kriminale më të rrezikshme nga Vlora, Elbasani, etj, që një pjesë e tyre edhe ka dalë. Por, këta nuk e kanë mendjen, e kanë mendjen vetëm për show.
(BalkanWeb)