Presidenti Ilir Meta iu drejtua edhe një herë qytetarëve duke u bërë thirrje për protestë. Sipas tij qytetarët duhet të zgjohen për të kuptuar se beteja për Gjykatën Kushtetuese është një betejë vendimtare.
Duke hedhur akuza të ashpra ndaj qeverisë, Meta shkruan se populli duhet të zgjohet për vetë ekzistencën e shtetit dhe të kombit që janë më të rrezikuar se kurrë nga ajo që vetë presidenti e quan organizatë mafioze në pushtet, celulë lokale e një organizate ndërkombëtare që lakmon territorin tonë, mjaft strategjik nga ana gjeopolitike edhe për shumë veprimtari kriminale me përfitime të jashtëzakonshme.
Reagimi i Metës:
Të dashur qytetarë! Zgjohuni për të kuptuar se beteja për Gjykatën Kushtetuese është një betejë vendimtare për secilin prej jush dhe jo vetëm për të ardhmen e demokracisë, por dhe për vetë ekzistencën e shtetit dhe të kombit tonë që janë më të rrezikuar se kurrë nga kjo organizatë mafioze në pushtet, celulë lokale e një organizate ndërkombëtare që lakmon territorin tonë, mjaft strategjik nga ana gjeopolitike edhe për shumë veprimtari kriminale me përfitime të jashtëzakonshme.
Kjo është një organizatë mjaft e strukturuar, me një program të qartë të instalimit të një regjimi satrap që dhunon çdo ditë të drejtat e shqiptarëve dhe që përmes kapjes mafioze të Gjykatës Kushtetuese synon t’i asgjesojë të drejtat demokratike dhe legjitime të tyre përgjithmonë duke i vendosur vetëm përballë dy zgjedhjeve: nënshtrimit pa kushte ose shpopullimit.
Por jo vetëm kaq. Me rrëmbimin mafioz të Gjykatës Kushtetuese synohet dorëzimi de facto i sovranitetit dhe integritetit të vendit në duart e organizatës ndërkombëtare.
Duhet të kuptoni se kjo nuk është një betejë kompetencash midis Presidentit dhe mazhorancës për disa vende pune në Gjykatën Kushtetuese, por një betejë për të mos lejuar instalimin e një junte policore ku dhe vetë Gjykata Kushtetuese do të ishte de facto Policia anti-kushtetuese, përmes se cilës do realizohej ekzekutimi përfundimtar i Kushtetutës dhe i të drejtave kushtetuese të qytetarëve tanë.
Ndaj në 2 Mars çdo qytetar është i ftuar të vijë në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për t’i treguar kësaj organizate mafioze se durimi ka kapërcyer çdo kufi dhe se mbrojtja e Gjykatës Kushtetuese është vija e kuqe e çdo shqiptari të ndershëm dhe të përgjegjshëm që mbron të ardhmen e tij dhe të fëmijëve në këtë vend, nga instalimi i plotë i një tiranie anti-kombëtare siç e shikoni çdo ditë.
SHQIPËRIA E PARA! SHQIPËRIA PËR SHQIPTARËT! 🇦🇱