Për kishë t’Laçit, s’ka kishë as xhami që merr përsipër me i fal mëkatet e shqiptarit!

Nga Fatjon Gjinaj

Pas diçka më pak a diçka më shumë se pesë vjetësh, i shtyrë nga dëshira humane për të gjetur pak paqe dhe qetësi shpirtërore (i frustruari me makthet e përditshmërisë që mundohet të përdorë çdo mjet e rrethanë për ta larguar mendjen prej tyre, por pse jo, edhe për t’u lutur diku që fundi i marrëzisë shoqërore ku vrasjet, grabitjet, vjedhjet, prostitucioni, trafikimi njerëzor e narkotik, mashtrimet, abuzimet… devijancat dhe devijimet prej rregullave dhe normave ligjore, morale e humane se paku të vijnë duke u zbehur), u gjenda mbrëmjen e djeshme deri në orët e para të mëngjesit të ditës sotme në mesin e mijëra (mbase qindra-mijëra), pelegrinëve tek Kisha e “Shna Ndout” në Laç.

Nga im atë kam dëgjuar shpesh të thotë se, “tempujt fetarë nuk janë për njerëzit e nershëm, të drejtë, që s’i kanë rá n’qaf ‘kujt… ato janë strehë e atynve që s’kanë lan’ gja pa mrekullu, e shkojnë se ua rren menja se Zoti ka me i fal. Ka nji Zot, e s’kam nevojë me e lyp se e di ku asht…”

Natyrisht, si dikush që beson në Zot (por që beson gjithashtu se as Ai vetë nuk është aq i “zoti” sa Zoti), këto fjalë të tim ati i kam kritikuar, shpesh herë edhe i kam etiketuar si egoiste. Por le të kthehemi ku e nisëm.

Që kur hyje në qytet e deri në majë, ku s’shkohet më tej askund veçse të zbresësh nga ke ardhur, duhej të kaloje përmes një kalvari të ngjeshur e të gjatë njerëzish dhe plehrash të cilët dhe me të cilat bashkë-udhëtonin si bijtë e të njëjtës nanë e të të njëjtit babë, turravrap natës së zezë s’këterrë ku blicet ishin ato që fiksonin diku me dashje e diku pa dashje tragjikominë e një verbërie milionëshe në numër njërëzor e tre-katër fish milionëshit në numër numrash mbjetjesh të panumërta.

E gjithë kjo nuk ishte e gjitha, ndoshta e përgjithshmja po. Fati im i mirë ishte se shkova me natë e u ktheva me natë. Imagjinoni sa fish i dërrmuar do të kthehesha sikur t’i kisha parë fytyrat e secilit prej atyre që pasi mbushnin plancin me ushqim e lëngje, i hidhnin mbetjet kuturu; të kisha parë fytyrat e çikave të zhytyra në momente reflektimi, faljeje e pendese ku blicet që derdheshin hera-herës mbi to nxirrnin në pah ‘hiret’ femërore të gjysmë-mbuluara/zbuluara; të kisha parë fytyrat e djelmoshve prej zverkut të të cilëve kutërbunte era e konsumimit t’hashashit; të kisha parë fytyrat e atyre që fusnin duart nëpër xhepat, çantat dhe portofolet që s’kishin kurrë-farë lidhjeje me ta; të kisha parë fytyrat e bark-derrave që lusnin Shenjtin e Shna Ndue për mëshirë por grëmsinin si djaj e prej muzhdëve u kutërbonte era e rakisë dhe e qofteve; të kisha parë fytyrat e fëmijëve të sfilitura nga marrëzia e prindërve të tyre; të kisha parë fytyrat e atyre që s’linin fjalë nga fjalori i librit të shpisë pa nxjerrë për goje; të kisha parë fytyrat e lypsave për të kuptuar se kush rren e kush jo, pse jo për të pyetur fshehtazi Zotin që rri fshehur se nga vijnë këto krijesa dhe pse kur je kaq i mirë sa je i lë në këtë farë feje; të kisha parë fytyrën e atyre që u shkëlqenin kilet e floririt në qafë, gishta e duar; të kisha parë fytyrat e njerëzve të armatosur me apo pa uniformë që lëviznin lart e poshtë e poshte e lart përmes lumit të njerëzve; të kisha parë fytyrat e përgjumura mbase të shitësve ambulant, të shoferëve që shtynin njerëz me parakolpe e prapakolpe fugonash rrangall zhurma e të cilëve dëgjohej në Laç kur ato niseshin nga kisha dhe tek kisha kur niseshin nga Laçi; dhe në fund, të kisha parë fytyrat e klerikëve e meshtarëve misioni i të cilëve kishte dalë prej shinave.

Sa mirë që shkova me natë e u ktheva me natë, ndryshe nuk do kthehesha i tronditur dhe i dërrmuar siç u ktheva, por i çmendur fare, ore i luajtur prej fiqirit po ju them! Mbase po t’i kisha parë ato fytyra, sot s’do përshëndesja njeri në rrugë, nuk do konsumoja kefé me dikë, nuk do përdorja vijat e bardha, nuk do mundja të ushqehesha, do trokisja për t’u qethur tek thertorja,,, dhe më e keqja nuk do iu vija xhel flokëve!!! Po babi, ti ke të drejtë në një far’ mënyre. Mbase edhe bie dakort me ty, por me një kusht: të më thuash se ku dreqin është ky Zot…!!!

Loading...