Policia njoftoi se eshte vetevrare autori i vrasjes së dyfishtë Fatmir Kolecaj.
Dy ditë më parë ai vrau ish-gruan dhe kunatin në Rrëshen, ndërsa mbrëmjen e sotme i ka dhënë fund jetës duke u vetëvrarë në banesën e tij.
47-vjeçari ekzekutoi ish-gruan Esmeralda Filopati 36 vjeçare, nëna e tre fëmijëve dhe vëllanë e saj Vledison Filopati 34 vjeç mbrëmjen e së martës, pasi u bëri pritë në hyrje të banesës.
Policia tha se 47-vjeçari kishte tentuar vetëvrasjen edhe në 2017 në kohën kur ishte i burgosur në Shënkoll të Lezhës, pasi u dënua për dhunë në familje dhe armëmbajtje.
Pasi doli nga burgu një vit më parë konfliktet për kujdestarinë e fëmijëve vijuan dhe mbrëmjen e së martës kreu vrasjen e dyfishtë.
Policia vijoi kontrollet prej dy ditësh me efektivët e RENEA-s dhe FNSH-së, por edhe me dron në zonën e Rrëshenit, ndërkohë që Kolecaj mbrëmjen e sotme i fshehur në shtëpi i dha fund jetës, në të njëjtën ditë që u përcollën në banesën e fundit edhe vëlla e motër.