Vitin e kaluar, Kina rezultoi me trefishin e miliarderëve të rinj ndaj SHBA-së, të cilët pasurinë e tyre e kanë fituar kryesisht në sektorin farmaceutik, internet, argëtim, sipas renditjes së publikuar në revistën kineze ”Hurun Report” për njerëzit më të pasur në botë.
”Në rajonin e Kinës së Madhe, që përfshin Hong-Kongun dhe Tajvanin, numri i miliarderëve të rinj është rritur me 182 në 799 persona, në krahasim me 59 pasanikët e rinj në SHBA”, tregojnë të dhënat e revistës kineze.
”Edhe pse shpërthimi i epidemisë së koronavirusit në Kinë e ka goditur rëndë ekonominë e dytë më të madhe në botë, gjithashtu e ka nxitur rritjen e aksioneve të kompanive kineze, që merren me veprimtari edukative përmes internetit, lojërave online si dhe me prodhimin e vaksinave”, theksohet në raport.
Duke pasur parasysh se numri më i madh i qytetarëve kinezë pas epidemisë kanë mbetur në shtëpitë e tyre për shkak të karantinës dhe kufizimeve të udhëtimeve, shërbimet përmes internetit janë rritur, ndërsa dukshëm kanë përfituar edhe sipërmarrësit në fushën e shëndetësisë, të specializuar për vaksinimet.
‘’Kina sot ka më shumë miliarderë se sa SHBA-ja dhe India bashkë”, theksoi Rupert Hugeverf, themelues dhe kryetar i “Hurun Report”, sipas të cilit SHBA kanë 629 miliarderë, ndërsa India 137 miliarderë.