Studimet kanë treguar se kur vjen puna tek çeshtjet e zemrës gjinia ka shumë rëndësi.
Një shembull për këtë është edhe problemi i zemrës i quajtur kardiomiopatia takotsubo, i njohur edhe si sindroma e zemrës së thyer, që u përshkrua për herë të parë në vitin 1990 në Japoni.
Më shumë se 90% e rasteve të raportuara janë në gratë e moshës 58 – 75 vjeç.
Studimet sugjerojnë se 5% e femrave të dyshura se kanë atak në zemër, në fakt kanë këtë problem. Shumica e njerëzve përmirësohen pa pësuar ndonjë dëmtim afat – gjatë.
Karakteristika të kardiomiopatisë takotsubo:
• Dhimbje në kraharor dhe vështirësi në frymëmarrje pas një stresi të rëndë (emocional apo fizik).
• Parregullsi në elektrokardiogramë që imitojnë ato të një ataku në zemër.
• Nuk ka prova të një bllokimi të arterieve koronare.
• Parregullsi në lëvizjet e ventrikulës (barkushes) së majtë.
• Fryrje e ventrikulës së majtë.
• Rimëkëmbje brenda një muaji
Çfarë është kardiomiopatia takotsubo apo sindroma e zemrës së thyer?
Kardiomiopatia takotsubo është një dobësim i ventrikulës së majtë, dhomës kryesore pompuese të zemrës, zakonisht si rezultat i një stresi të rëndë fizik apo emocional, si një sëmundje e papritur, humbja e një njeriu të afërt, një aksident serioz, apo një fatkeqësi natyrore si p.sh. një tërmet.
Kjo është arsyeja se pse ky problem quhet edhe kardiomiopatia e shkaktuar nga stresi, apo sindroma e zemrës së thyer. Simptomat kryesore janë dhimbja në kraharor dhe vështirësia në frymëmarrje.
Stresorë të lidhur me kardiomiopatia takotsubo:
• Rënie e papritur e tensionit të gjakut
• Sëmundje serioze, ndërhyrje kirurgjikale, apo procedurë mjekësore
• Dhimbje e rëndë
• Dhunë
• Krizë astme
• Marrja e lajmeve të këqija (si p.sh. një diagnozë kanceri)
• Aksident me makinë apo ndonjë lloj tjetër aksidenti
• Humbje e papritur, sëmundje apo lëndim i një njeriu të afërt, shoku apo kafshë shtëpiake
• Një zënkë e rëndë
• Humbje financiare
• Frikë intense
• E folura në publik
• Një festë surprizë apo surprizë tjetër e papritur
Shkaku i saktë nuk dihet plotësisht, por ekspertët mendojnë se rritja e hormoneve të stresit (p.sh. adrenalina), në thelb, “trullos” zemrën, duke shkaktuar ndryshime në qelizat e muskujve të zemrës apo enët koronare të gjakut (ose të dyja) që pengojnë kontraktimin në mënyrën e duhur të ventrikulës së majtë. Sindroma e zemrës së thyer ndodh më shpesh tek femrat se sa në meshkuj, sidomos pas menopauzës.