E gëzofsh 90-vjetorin e lindjes i nderuari veteran Enver Golloshaj

E GËZOFSH 90-VJETORIN E LINDJES I NDERUARI VETERAN ENVER GOLLOSHAJ!

Këto ditë veterani i LANÇ-it, Enver Golloshaj mbushi 90 vjet të jetës së tij. Ai ka lindur në fshatin Kallarat të Kurveleshit të Poshtëm në një familje të varfër, por me tradita të spikatura atdhetare.

Në Luftën e Vlorës të 1920-ës kundër imperialistëve italianë që mbanin të pushtuar Vlorën dhe rrethinat e saj, një nga pjesëtarët e familjes Golloshaj, Xhevair Golloshaj, dha jetën si pjesëtar i çetës së Kallaratit në atë luftë në përleshje me pushtuesit italianë, ndërsa në LANÇ të popullit shqiptar, familja Golloshaj u lidh ngushtë me të, duke marrë pjesë aktive.

I ati i Enverit, Xhebro dhe xhaxhai Ferik Golloshaj ishin pjesëtarë të çetës territoriale “Mumin Selami” të fshatit, në radhët e të cilës dhe jetën në përleshje me nazistët gjermanë për çlirimin e Himarës.

Vetë Enveri, si i ri antifashist, ishte veprimtar aktiv i organizatës së rinisë. Pas Çlirimit të vendit, Enveri dha një kontribut me vlerë në zhdukjen e analfabetizmit te moshat e mëdha dhe me kompletimin arsimor përkatës. Ai shërbeu një jetë të tërë si mësues e si drejtor shkolle në rrethin e Vlorës për arsimimin dhe edukimin e brezave të rinj. Të paharruar do të mbeten për të dhe bashkëfshatarët e tij, vitet kur shërbeu si mësues në vendlindjen e tij në Kallarat.

Enver Golloshaj ka qenë dhe është edhe një veprimtar i përkushtuar politikoshoqëror në bashkësinë ku ka jetuar e jeton.

Pas daljes në pension pleqërie, Enver Golloshaj militon në organizatën e veteranëve të LANÇ, duke drejtuar edhe një organizatë veteranësh lagjeje në qytetin e Vlorës, ku spikat mbrojtja që u bën ai vlerave dhe idealeve të LANÇ.

Enveri në marrëdhëniet shoqërore, familjare dhe të punës karakterizohet nga një sjellje e korrektësi shembullore, harmoni, urtësi e dashamirësi ndaj të gjithë njerëzve me të cilët e lidh puna, shoqëria e familja.

Enveri ka dhënë dhe jep një kontribut të rëndësishëm në mbarëvajtjen e Shoqatës Kallarati dhe të gazetës me të njëjtën emër.

Edhe fëmijët e tij me këtë frymë i ka edukuar. Për të gjitha këto cilësi, Enveri gëzon respektin e të gjithë atyre që e njohin nga afër ose i ka lidhë puna.

Me rastin e përvjetorit të lindjes, Kryesia e komitetit të veteranë të LANÇ të Vlorës i dorëzoi veteranit Enver Golloshaj një Mesazh urimi, duke i uruar jetë të gjatë, shëndet e lumturi me gjithë familjen, të cilin e priti me kënaqësi e falënderime.
Sehit JONUZAJ

Loading...