Mjeku në Bergamo tregon çfarë po ndodh me koronavirusin: ‘Duhet të zgjedhim kë do kurojmë dhe kë jo, si në çdo luftë’

“Një dhomë e madhe me njëzet shtretër është hapur në brendësi të urgjencës, e cila përdoret vetëm për ngjarje masive. Ne e quajmë atë Pemaf, ose Plani i Urgjencës për maksimumin e fluksit. Këtu është vendi ku bëhet përzgjedhja”.

Nuk është një bisedë e lehtë me Christian Salaroli, 48 vjeç, i martuar, babai i dy fëmijëve, drejtor mjekësor, anestezist reanimator i spitalit Papa Giovanni XXIII në Bergamo, një nga më të populluarit e këtyre javëve.

Nuk është për temën që trajton, nuk është për emocionin që rrjedh brenda, të cilin kemi për detyrë ta thajmë, edhe pse thotë shumë për atë që po ndodh aty ku po luftohet vërtet. “Vendoset sipas moshës dhe kushteve shëndetësore. Si në të gjitha situatat e luftës. Nuk po e them unë, por manualet me të cilat kemi studiuar”. Kjo është intervista e tij për Corriere Della Sera.

Atëherë është e vërtetë?
Sigurisht që është. Në ato shtretër pranohen vetëm gratë dhe burrat me pneumoni Covid-19, që vuajnë nga insuficienca respiratore. Të tjerët në shtëpi.

Më pas çfarë ndodh?
I vendosim ata në ventilim jo-invaziv, i cili quhet Niv. Hapi i parë është ky.

Po hapat e tjerë?
Vij tek më e rëndësishmja. Në mëngjes herët, me të kuruarit në urgjencë kalon reanimatori. Mendimi i tij është shumë i rëndësishëm.

Pse ka kaq shumë rëndësi?
Përveç moshës dhe gjendjes së përgjithshme, elementi i tretë është aftësia e pacientit për t’u rikuperuar nga një ndërhyrje reanimatore.

Për çfarë po flasim?
Kjo e shkaktuar nga Covid-19 është pneumoni intersticiale, një formë shumë agresive që ndikon aq shumë në oksigjenimin e gjakut. Pacientët më të prekur bëhen hipoksikë, domethënë, ata nuk kanë më sasi të mjaftueshme oksigjeni në organizëm.

Kur vjen koha për të zgjedhur?
Menjëherë më pas. Ne jemi të detyruar ta bëjmë. Në dy ditë, më së shumti. Ventilimi jo-invaziv është vetëm një fazë kaluese. Meqenëse për fat të keq ka disproporcion midis burimeve spitalore, shtretërve të kujdesit intensiv dhe njerëzve me sëmundje kritike, jo të gjithë intubohen.

Në këtë pikë çfarë ndodh atëherë?
Bëhet e nevojshme që ato të ventilohen mekanikisht. Ata të cilët zgjidhen për të vazhduar, intubohen të gjithë, ose vendosen me bark poshtë, sepse kjo manovër mund të favorizojë ventilimin e zonave të poshtme të mushkërive.

A ka ndonjë rregull të shkruar?
Për momentin, përkundër asaj që lexoj, jo. Si rregull, edhe nëse e kuptoj që është një fjalë e keqe, vlerësohen me shumë kujdes pacientët me patologji serioze kardio-respiratore dhe njerëzit me probleme të rënda të arterieve koronare, sepse ata tolerojnë hipoksinë akute dobët dhe kanë pak shanse të mbijetojnë në fazën kritike.

Ndonjë gjë tjetër?
Nëse një person midis 80 dhe 95 vjeçëve ka një insuficencë të rëndë respiratore, me siguri nuk procedon. Nëse ka një insuficienzë shumë-organike të më shumë se tre organeve vitale, kjo do të thotë se ai ka një përqindje të vdekshmërisë njëqind për qind. Tashmë ka ikur.

E lini të vdesë?

Edhe kjo është gjithashtu një fjali e tmerrshme. Por për fat të keq është e vërtetë. Ne nuk jemi në gjendje të tentojmë ato që quhen mrekulli. Është realiteti.

A nuk është gjithmonë kështu?
Jo. Sigurisht, edhe në kohëra normale vlerësohet rast pas rasti, në reparte ne përpiqemi të kuptojmë nëse pacienti mund të shërohet nga çdo ndërhyrje. Tani po e zbatojmë këtë diskrecion në një shkallë të gjerë.

Kush lihet të shkojë, vdes nga Covid-19 apo nga patologjitë e mëparshme?
Kjo fjalë, se ata nuk vdesin nga koronavirusi është një gënjeshtër që më hidhëron. Madje nuk është as respekt për ata që na lënë. Ata vdesin nga Covid-19, sepse në formën e tij kritike, pneumonia intersticiale prek problemet e mëparshme të frymëmarrjes dhe pacienti nuk mund të durojë më. Vdekja shkaktohet nga virusi dhe nga asgjë tjetër.

Dhe ju mjekët, arrini ta përballoni këtë situatë?
Disa dalin të shtypur. Kjo i ndodh shefit të repartit dhe djalit të sapoardhur që e gjen veten në mëngjes herët, duke vendosur fatin e një qenie njerëzore. Në një shkallë të gjerë, po e përsëris.

A nuk të shqetëson të jesh arbitri i jetës dhe vdekjes së një qenie njerëzore?
Tani për tani fle natën. Sepse unë e di se zgjedhja bazohet në supozimin se dikush, pothuajse gjithmonë më i ri, ka më shumë mundësi të mbijetojë se tjetri. Të paktën, është një ngushëllim.

Çfarë mendoni për masat e fundit të qeverisë?
Ndoshta jam pak gjenerik. Koncepti i mbylljes së virusit në zona të caktuara është i saktë, por ai vjen të paktën një javë me vonesë. Ajo që me të vërtetë ka rëndësi është një gjë tjetër.

Cila?
Qëndroni në shtëpi. Qëndroni në shtëpi. Nuk lodhem duke e përsëritur. Shoh shumë njerëz në rrugë. Përgjigja më e mirë për këtë virus nuk është që të mos dilni xhiro. Ju nuk e imagjinoni se çfarë po ndodh këtu. Qëndroni në shtëpi.

A ka mungesë të personelit?
Ne të gjithë po bëjmë gjithçka. Ne anestezistët kryejmë ndërrime mbështetëse në dhomën tonë të operacionit, e cila menaxhon Bergamon, Brescian dhe Sondrion. Mjekë të tjerë të ambulancave përfundojnë në repart, sot më takon mua.

Në dhomën e madhe?
Saktë. Shumë nga kolegët e mi i vënë fajin kësaj situate. Nuk është vetëm ngarkesa e punës, por ajo emocionale, e cila është shkatërruese. Kam parë infermiere me tridhjetë vjet përvojë pas tyre që qajnë, njerëz që kanë kriza nervore dhe befas dridhen. Ju nuk e dini se çfarë po ndodh në spitale, kjo është arsyeja pse vendosa të flas.

A ekziston ende e drejta e përkujdesjes?
Tani për tani është e kërcënuar nga fakti se sistemi nuk është në gjendje të marrë përsipër të zakonshmen dhe të jashtëzakonshmen në të njëjtën kohë. Pra, trajtimet standarde mund të kenë vonesa serioze.

A mund të më jepni një shembull?
Normalisht thirrja për një sulm në zemër procedohet brenda disa minutash. Tani mund të ndodhë që të prisni edhe për një orë ose më shumë.

A gjeni një shpjegim për të gjithë këtë?
Nuk po e kërkoj. Unë i them vetes është si operacionet në luftës. Ne vetëm përpiqemi t’i shpëtojmë jetën atyre që mund t’ia dalin. Kjo është ajo që po ndodh. (m.k/BalkanWeb)

Loading...