Kush nuk karantinohet në shtëpi, do shkojë në karantinën e shtetit

Zëvendësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli iu përgjigjur mediave në lidhje me situatën ndaj koronavirusit. Rakacolli tha se në katin e parë të Infektivit janë për momentin të sëmurët me COVID-19, ndërsa në 2 katet e tjera janë 4 pacientë.

Ajo theksoi se nëse do ketë shtim të rasteve Infektivit do kthehet në një spital COVID.

“Spitali infektiv qëkur është ndërtuar është ndërtuar me konceptin e spitaleve infektive. Që do të thotë që në të njëjtën kohë në spital mund të ketë sëmundje që transmetohen nga njeri tek tjetri. Për këtë arsye katet janë tërësisht të izoluara, hyrje të veçanta, nuk komunikojnë.

Kati i parë është vetëm në dispozicion të të sëmurëve me COVID-19. Në dy katet e tjera për momentin ndodhen të shtruar 4 pacientë të tjerë dhe personeli mjekësor i katit të parë nuk ka asnjë lidhje me ta. Me shtimin e rasteve të dyja katet e spitalit infektiv do të shndërrohen në një spital COVID”, deklaroi Rakacolli.

Sa i përket qytetarëve që nuk mund të vetëkarantinohen në shtëpi ajo tha se do të shkojnë në karantinën e shtetit. Lidhur me mundësinë e vendosjes së çadrave para spitaleve ajo tha se mund të ndodhë nëse do ketë fluks të prekurish.

“Vendosja e çadrave përpara spitaleve është bërë për shkakun se nga fluksi i madh i njerëzve nuk është mundur të punohet brenda ambienteve të izoluara. Ne kemi krijuar në spital ambiente për të izoluar të sëmurin me COVID-19, nëse kemi kushte emergjence mund të vendosim çadra”, u shpreh zv.ministrja.

Ajo gjithashtu informoi se është shtuar që sot, personeli tek qendra kombëtare e urgjencës. “Kur merr në telefon urgjencën, duhet me ndenj në linjë. Nëse nuk të del dhe e mbyll telefonin dhe merr sërish ju keni dalë nga radha. nëse urgjenca nuk përgjigjet, vazhdoni të qëndroni në linjë. Që sot ne kemi shtuar personelin por fluksi ka qenë shumë i madh. Po bëhet gjithçka që kanë rekomanduar specialistët epidemiologë”, deklaroi Rakacolli.

E pyetur se pse janë në karantinë stafi i spitalit të Durrësit kur dolën negativë, ajo tha se stafi i Durrësit ka ndjekur të gjitha rekomandimet që kanë dhënë specialistët epidemiologë të ISHP.

Loading...