Vetëm rregulli social, kujdesi personal dhe bashkë me to misioni dhe funksioni i institucioneve mjekësore do zbut përmasat e rrezikut dhe do bëjë të mundur që ta kalojmë sa me lehtë të jetë e mundur këtë rrezik. Që nuk është i vogël…
Situata që po kalojmë është historikisht nga më të vështirat që ka kaluar shoqëria jonë.
Janë dy “goditje” të forta. Tërmeti i 26 nëntorit dhe epidemia, madje tashmë pa asnjë dyshim pandemia e Koronavirusit. E cila tashmë është një realitet imediat që duhet njohur dhe vlerësuar në dinamikë dhe në shkallën në rritje të rrezikut real dhe potencial. Kjo është arsyeja pse ndodhemi përballë situatës së shqetësimit social të përgjithshëm. E cila nuk pranon as qëndrime mëndjelehta e sempliste për zvogëlimin e përmasave të rrezikut, por as qëndrime alarmante dhe hipertrofizuese të së keqes.
Sidomos ato që nuk i shërbëjnë situatës dhe që bëhen akoma më të kqija e më të rrezikshme se koronavirusi. Është fjala për disa ndërhyrje banale artificiale, për qëllime jashtë mjekësore apo me nuancë politizuese.
Një nga rreziqet e mundshme dhe që ka dhënë shenja është shfaqja e nuancave të ekzagjeruara të frikës, e cila në disa raste zmadhohet duke marrë formën e panikut social. Kjo nuk duhet të ndodhë sepse paniku është “aleati” më i mirë i kaosit social, që sjell parregullsi, veprime irracionale dhe rrjedhimisht edhe dështim. Sepse sikurse e kam thënë edhe herë të tjera në luftë dhe në mjekësi, “betejën” e humbat ai krah që kapet nga paniku. Sepse paniku prish rendin racional të gjërave dhe na ngatërron të gjithëve në hapat që duhen hedhur në përballjen me këtë të keqe. Sepse në këto moment nëse ka disa gjëra që nuk na duhen, janë ankthi, frika e depresioni. Të cilat nuk kanë asnjë lidhje me nevojën imperative që kemi për të qenë të kujdesshëm dhe për të zbatuar kërkesat e protokollit mjekësor.
Në rrethanat që jemi është e nevojshme që të gjithë të dëgjojmë këshillat e ekspertëve të mjekësisë.
Pushteti i dijes mjekësore dhe disiplina e ndërgjegjshme sociale për të respektuar ato dhe orientimet dhe urdhërat e organeve të shtetit dhe mjekësisë janë konditë “sine qua non” për të kapërcyer këtë situatë me sa më pak dëme në njerëz dhe pasoja sociale për shoqërinë dhe ekonominë tonë. Sidomos këshillat për të përmirësuar radikalisht standardet e higjienës sociale dhe ambientale, për të reduktuar lëvizjet dhe ritualet e jetës kolektive.
Media duhet të bëjë punën e vet për të mbajtur të informuar njerëzit me dialektikën dhe dinakëritë befasuese të virusit, i cili duket se është rezistent dhe i “pabesë”. Por duhet edhe pak kujdes sepse pas shifrave mediatike janë njerëz të gjallë që mund të shërohen, por që mund të jenë edhe të kërcënuar nga humbja e jetës.
Edhe diçka tjetër. Koha kërkon të ndryshojmë dhe përmirësojmë disa module të vjetra të mënyrës së sjelljes sociale dhe personale, duke mësuar më shumë standardet e të qënit të kujdesshëm në raport me “tjetrin”. Na duhet një standard i ri për të patur vlera të reja të jetës urbane, duke respektuar standardet e hapësirës personale, distancën e dinjitetit dhe kushtet e mos interferimit në higjienën personale të tjetrit duke e përqafuar apo puthur e përputhur pa asnjë kuptim. Duhet ta largojmë një lloj mendjelehtësie që shfaqin disa njerëz që nuk duan ta vlerësojnë rrezikun që kemi përpara, që shmangin përgjegjësinë personale dhe pasojat sociale. Shqetësimi që ka shoqëria jonë tani nuk është sipërfaqësor por thelbësor.
Vetëm rregulli social, kujdesi personal dhe bashkë me to misioni dhe funksioni i institucioneve mjekësore do zbut përmasat e rrezikut dhe do bëjë të mundur që ta kalojmë sa me lehtë të jetë e mundur këtë rrezik. Që nuk është i vogël…
Gëzim Tushi
Sociolog, Mjeshtër i MADH