Situata tragjike që po përjeton Italia për shkak të pandemisë së koronavirusit Covid-19 ka arritur kulmin në Bergamo, ku po mbahet një ceremoni mortore çdo 30 minuta, pasi brenda një jave aty humbën jetën 146 vetë.
Në qytetin që ndodhet 40 kilometra larg Milanos morgu është plot dhe trupat e personave të pajetë po mbahen në kisha, në pritje të funeralit. Një vendas postoi gjithashtu një video ku tregonte faqet e gazetës lokale të mbushur me nekrologjitë e personave të vdekur.
Italia është shteti më i prekur nga koronavirusi në Europë, me mbi 1400 të vdekur, ndërsa numri i të prekurve u rrit në mbi 21 mijë brenda një nate, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të njerëzve, që sipas autoriteteve italiane vazhdojnë të mos vetëizolohen.
Giacomo Angeloni, drejtuesi i morgut të Bergamos, tha: “Po përballemi me një emergjencë, po kryejmë një varrim çdo 30 minuta. Të shtunën e kaluar kryem 18 ceremoni mortore, të dielën dhe të hënën nga 44, të martën 33 dhe të mërkurën 51. Na u desh të mbyllnim varrezat e Bergamos”, citon a2 cnn.