Lorik Cana ka folur vetëm para pak minutash në lajmet e “Ora News” për mënyrën sesi po e përjeton pandeminë dhe shpërthimin e saj në Itali. Disi i lodhur nga vetëkarantinimi prej 8 ditësh, por duke e ditur më së miri se kjo është e vetmja mënyrë për ta fituar edhe këtë betejë.
Gjithashtu legjenda e Kombëtares së Shqipërisë ka qetësuar njerëzit duke u shprehur se në Itali nuk ka aq panik në rrugë sa edhe transmetohet në media, ndërsa rezultatet e këtyre masave do të dalin me patjetër pas 2 javësh. Pra pasi dimë se 14 ditë është koha e shërimit të pacientëve nga ky infeksion dhe mbyllja prej 8 ditësh në shtëpia, me arritjen në 2 javë të plota izolimi do të sjellë kontrollin e gjithë situatës, ashtu si ndodhi edhe në Kinë.
“Jemi duke pritur që kjo masa e izolimit të jap efektet e veta pas 2 javësh. Jemi bërë më shumë se 1 javë, në ditën e 8 që izolohemi. Nuk është se po mësohemi me të, por po tregojmë pozitivitet dhe duke argëtuar fëmijët në mënyrë maksimale.
Të jem i sinqertë nuk kam pasur aspak frikë, thjeshtë po zbatojmë ato këshillat që na thanë. Kjo betejë fitohet vetëm duke u mbrojtur dhe duke qendruar në shtëpi. Nuk shoh ndonjë panik në Itali në rrugë, megjithëse i kemi lëvizje shumë të kufizuara vetëm për të marrë ushqimet.
Vetëm kështu mund t’i bëjmë ballë dhe nëse ne dalim, atëherë gjithçka shkon kot dhe shëndetësia kalon në kolaps. Jam në kontakt të vazhdueshëm me familjen time dhe po i tregoja realitetin e përjetuar këtu dhe po i thoja që të përgatiteshin sa më mirë në Francë.
Nuk duhet të bëhemi më trim sesa duhet se nuk na gjen gjë. Kur një individ është i prekur atëherë të gjithë njerëzit afër tij janë të rrezikuar. Por bota e sportit është në qendër të vëmendjes në media dhe merren masa më të mëdha. Kjo shërben që të kalojë me mesazhe edhe të njerëzit, që ta kuptojnë që askush nuk është i mbrojtur.
Por sinqerisht në Francë më duket absurde fare se nuk e marrin seriozisht atë që po ndodh dhe do të shkojë edhe tek ta. Gjermania dhe Franca po i marrin vendimet, por me 10 ditë vonese. E të humbasësh 10 ditë në këtë betejë është shumë. Nuk e kuptoj sesi shtetet nuk po arrijnë të kordinohen mes tyre, por përgëzime për Shqipërinë dhe Kosovën që reaguan menjëherë”, ka thënë Cana.
360grade.al