Prokuroria dhe Policia e Vlorës deklaratë për të zhdukurit në 3 vite

Prokuroria dhe Policia e Vlorës kanë përgënjeshtruar lajmin në Top Channel dhe Partinë Demokratike sipas të cilëve në vitet e fundit janë rreth 80 persona të zhdukur.

Në një deklaratë ditën e sotme, Prokuroria e Policia thonë se numri total i personave të larguar nga banesa është 23.

“Shumë prej këtyre personave janë larguar me dëshirë nga banesa, por dhe janë rikthyer,” konstaton policia.

“Nisur nga transmetimi në TV Top Channel i një reportazhi, ku flitet për rreth 80 persona të zhdukur në vitet e fundit, një numër i cituar edhe nga foltorja e PD-së ditën e djeshme, Prokuroria dhe Policia e Vlorës sqarojnë opinionin publik se:

Në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23.

• në 2016 – 4 shtetas të larguar
• në 2017 – 6 shtetas të larguar
• ne 2018 – 13 shtetas të larguar

Shumë prej këtyre personave janë larguar me dëshirë nga banesa, por dhe janë rikthyer.

Megjithëse të gjitha rastet janë referuar në Prokurori, vetëm për 4 raste në 3 vitet e fundit janë konstatuar elementë të veprës penale dhe janë regjistruar në Prokurori si çështje, e ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre.

Gjithashtu, përsa i përket veprave penale kundër personit, bëjmë me dije se në krahasim me 1 vit më parë ka ulje të ndjeshme, konkretisht:

Nga 12 vrasje të evidentuara në vitin 2017, numri i tyre ka rënë me 50%, ose në 6 vrasje në 2018.

Nga 10 vrasje të mbetura në tentativë në 2017, është ulur me 50% numri në 2018, pra janë 5 tentativa të evidentuara.

Të gjitha strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e agjenci të tjera ligj zbatuese, vijojnë punën intensive për goditjen e paligjshmërive me qëllim ruajten e parametrave të rendit dhe të sigurisë e në shërbim të qytetarëve,” shkruhet në njoftimin e policisë

(e.f/BalkanWeb)

Loading...