Mjeku i mirënjohur Pëllumb Pipero ka ndarë sot një mesazh ndërgjegjësues me qytetarët, ku ka thënë se kjo sëmundje është shumë më e lehtë të parandalohet sesa të kurohet.
Pipero këshillon qytetarët të kufizojnë lëvizjet e tyre e të ruajnë distancat sociale me njëri-tjetrin, në mënyrë që ndihma të shkojë tek ata që sot kanë nevojë për ndihmën e mjekëve më shumë se kurrë.
“Kemi komunikuar çdo ditë dhe prapë do të komunikojmë për shkak se epidemia e shkaktuar nga koronavirusi po prek pothuajse gjithë botën, na preku edhe ne.
Kemi nënvizuar disa herë se sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi, e kemi më të lehtë ta parandalojmë sesa ta kurojmë dhe për t’a parandaluar duhet doemos mirëkuptimi juaj, duhet mbështetja juaj. Mbroni veten, duke mbrojtur veten mbroni edhe të tjerët, na mbroni edhe ne. Madje na mbroni, t’iu japim më shumë ndihmë atyre që sot më shumë se kurrë, kanë nevojë për ne. Jo frikë, jo panik. Paniku është aleati më i mirë i virusit, kujdesi është aleati ynë. Mjafton të kufizoni lëvizjet dhe virusi rri larg, mjafton të kufizoni kontaktet dhe virusin e mbani larg. Mos harroni të lani duart sa më shpesh me ujë dhe sapun. Së bashku ia dalim, së bashku ne e mundim këtë epidemi”, -shprehet Pipero