Valdrin Mustafa është futbollisti i vetëm shqiptar i cili ka rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit.
Së fundmi, në një intervistë në emisionin “Shqipëria LIVE” të “Top Channel”, ai tregon edhe gjendjen e tij shëndetësore në këto momente si dhe simptomat e para.
Sulmuesi shqiptar tregon edhe një detaj interesant, pasi thotë se vazhdimisht bënte shaka me shokët e ekipit duke u thënë se ishte me Koronavirus, gjë që më pas nuk mbeti thjesht një batutë pasi rezultoi një realitet.
Mustafa rrëfeu:
Nuk e di ku e kam marrë virusin, ndoshta nga klubi. Normalisht kam qenë pak në panik kur e mora vesh, sepse të gjithë janë duke folur për Koronavirusin dhe tani unë e kam atë. Por është si një gjendje gripale normale, kam frikë vetëm për prindërit. Babi bëri testin dhe doli negative, nesër presim edhe përgjigjen e mamit. Fillimisht më dhimbte vetëm fyti. Më pas nisi të më dhimbte koka dhe unë thjesht doja të flisa, por po mendoja se do të më kalonte. Pastaj filloi të më dhimbte edhe gjoksi dhe aty thashë se diçka nuk është në rregull. Kisha një javë që i ndjeja këto simptoma. Unë bëja edhe shaka me shokët e ekipit dhe i thoja se kam Koronavirus, por tani doli një realitet që unë e kam atë. I gjithë ekipi i është nënshtruar testit dhe sot ka dalë edhe një pozitiv, një shok i ngushtë. Për momentin jam shumë mirë, vetëm koka më dhemb pak asgjë tjetër. Ditën e 10 do të bëj sërish testin.