Gliko Portokalle

Kur flasim për llojet e glikove, menjëherë na shkon mendja tek amvisat përmetare, të cilat janë mjeshtre perfektë për përgatitjen e tyre. 

Glikotë, amvisat zakonisht i përdorin për qerasje si dhe për përgatitjen e ëmbëlsirave të ndryshme. Ne do të japim recetën e përgatitjes gliko portokalle sipas mënyrës tonë.
Gliko Portokalle
Përbërësit
1 kg portokalle ose mandarina
1 kg sheqer
600 ml ujë
gjysmë kokrre limoni

Përgatitja
Për përgatitjen e kësaj glikoje duhen portokalle pa fara (ose mendarina pa fara). Portokallet ose mandarinat lahen dhe hidhen në një tenxhere me ujë të bollshëm.
Vihen në zjarr dhe lihen 2 – 3 minuta sa të marrin valë. Kjo gjë përsëritet tre herë duke i zier me ujë të bollshëm dhe duke i kulluar ujin. Kështu që portokalleve në këtë mënyrë u ikën hidhërima.
Nëqoftëse portokallet janë kokrra të mëdhaja i ndajmë në pesë thela. Nëse thelën e duam në formë rrethore e kapim me kunja dhëmbësh ose i qepim me gjilpërë me radhë. (Portokallet ndahen në thela pasi u është hequr hidhërima)
Përgatitja e sherbetit te glikosë
Pasi masa e ujit ka vluar hedhim sheqerin. E lemë sherbetin të trashet duke e trazuar. Hedhim mandarinat ose portokallet kokrra ose thela, sipas dëshirës. I lemë të ziejnë për rreth një orë në zjarr shumë të ngadalshëm.
Gjatë kësaj kohë heqim shkumën që krijohet sipër më lugë.
Nëqoftëse shohim që sherbeti është i hollë, heqim kokrrat dhe ziejmë vetëm sherbetin deri sa të trashet. Më pas, hedhim përsëri kokrrat dhe një lugë lëngë limoni.
Glikon e portokalles e lemë në tenxhere për 24 orë.
E vendosim përsëri tenxheren në zjarr sa të marri valë 2 -3 minuta.
Masën e hedhim të nxehtë në vazo, të cilat janë përvëluar mirë. Vazot i kthejmë me kokë poshtë deri sa të ftohen.
Vazot me gliko portokalle mund të ruhet për një kohë të gjatë. Pasi te kemi hapur glikonë duhet ta ruajmë në frigorifer.

Loading...