Me zërin që i dridhet doktoresha u lutet qytetarëve: Rrini në shtëpi, do ia dalim bashkë

Ka përlotur apeli i mjekes Nevila Gjermeni ndaj shqiptarëve për të qëndruar brenda.

Me zërin që i dridhej, mjekja infektologe e shërbimit infektiv në QSUT, u përlot teksa përmendi kontrastin mes situatës e lodhjes së saj dhe bluzave të bardha në përpjekje pa pushim për të luftuar covid-19 tek pacientët e prekur, dhe rrugëve të mbushura me njerëz pa asnjë masë mbrojtëse e distance, sikur ndodhi një ditë më parë.

“Kur kthehem nga puna dhe shikoj në rrugë njerëz edhe dy bashkë shqetësohem shumë. Mesazhi im është rrini në shtëpi, ndihmoni veten dhe ne, që sakrifica jonë të ketë rendiment.

Do ia dalim, thjeshtë durim dhe këmbëngulje. Ju rrini thjeshtë në shtëpi, është përgjegjshmëri personale. Vetëm kjo është rruga që ndërpresim zinxhirin e infektimit. Nëse nuk bëhet kjo, infektimi shtohet, problemet do të jenë më të mëdha, por ndihma do të jetë e vështirë. Higjiena personale është shumë e rëndësishme gjithashtu” tha mjekja. Kjo lutje e ndjerë nga doktoresha përloti LIVE në studio edhe moderatoren Migena Sotiri e cila nuk mundi të mos prekej nga puna e palodhur 24 në 24 e mjekëve dhe thirrja domethënese e doktoreshë Gjermenit. “Nuk i shmangim dot emocione të tilla që na prekin të gjithëve”.

Ndalur te gjendja e pacientëve të prekur, mjekja Nevila Gjermeni deklaroi se katër janë në reanimacion, në gjendje stabël në oksigjen, jo të intubuar. “Simptomat fillojnë si grip, kollë, temperaturë, ethe, të vjedha, diarre, vështirësi në frymëmarrje dhe pneumoni. Këto janë ankesat e pacientëve që janë hospitalizuar. Më e rëndësishme nga gjithcka është vetëizolimi, distancimi nga njëri tjetri” përfundoi mjekja.

Loading...