Koronavirusi ‘hap’ dyert e burgjeve, të dënuarit kthehen ‘përkohësisht’ në shtëpi, ja kush përfiton…

Koronavirusi hap dyert e burgjeve në Shqipëri për një pjesë të madhe të të dënuarve.

Qeveria shqiptare ka nxjerrë një akt normativ me anë të të cilit urdhëron qëndrimin e përkohshëm në shtëpi të të dënuarve, si një leje e veçantë, gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga COVID-19.

Ky akt normativ ka për qëllim të marrë masa të përkohshme për të parandaluar përhapjen e infeksionit të shkaktuar nga koronavirusi në sistemin e ekzekutimit të vendimeve penale si dhe mbrojtjen e rendit dhe të sigurisë në sistem nëpërmjet garantimit të kushteve për mbrojtjen e jetës dhe të shëndetit të të dënuarve.

Të dënuarit që përfitojnë nga ky akt normativ i publikuar sot në fletoren zyrtaren, mund të qëndrojnë në shtëpinë e tyre, në një shtëpi tjetër private apo në një qendër të kujdesit dhe të shëndetit publik.

Kriteret për përfitimin e lejes së veçantë

I dënuari mund të përfitojë leje të veçantë qëndrimi të përkohshëm në shtëpi për një periudhë 3-mujore, në rast se në datën e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ:

a) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të dyja kushtet e mëposhtme:
I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në tre vjet burgim;
Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.

b) është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe përmbush të gjitha kushtet e mëposhtme:
I ka mbetur pa vuajtur nga dënimi i dhënë deri në pesë vjet burgim;
Është baras ose mbi moshën 60 vjeç;
iii. Vuan nga një sëmundje kronike e rrezikshme për jetën, e vërtetuar me dokumentet mjekësore përkatëse, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi;
Nuk është në kriteret ndaluese të parashikuara në nenin 5, të këtij akti normativ.
Periudha e qëndrimit të përkohshëm në shtëpi, sipas përcaktimeve të këtij neni, përfshihet në kohën e vuajtjes së dënimit.
Nëse gjatë periudhës së zbatimit të lejes së veçantë të qëndrimt të përkohshëm në shtëpi, gjykata vendos ekzekutimin e vendimit të dënimit me një dënim alternativ, sipas parashikimeve të Kodit Penal, leja e veçantë, sipas këtij akti normativ, shfuqizohet.

Kriteret ndaluese për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi

1. Nuk përfitojnë leje të veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi personat e dënuar për:

a) krime kundër njerëzimit, të parashikuara në nenet 73, 74, 74/a e 75, të Kodit Penal;

b) krime kundër jetës, të kryera me dashje, të parashikuara në nenet 76, 77, 78, 78/a, 79, 79/a, 79/b, 79/c të Kodit Penal, si dhe në nenin 77, të Kodit Penal Ushtarak;

c) veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit, të parashikuara nga neni 87, paragrafi dytë, i nenit 88, dhe paragrafi dytë, tretë dhe katërt, i nenit 89/a, të Kodit Penal;

ç) krime seksuale, të parashikuara në nenet 100, 101, 102, 102/a, 103, 104, 105, 106, 107/a, 108 dhe 108/a, të Kodit Penal;

d) vepra penale kundër lirisë së personit, të parashikuara në nenet 109, 109/b dhe 110/a, të Kodit Penal;

dh) vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, të parashikuara në nenet 128/b dhe 130/a, të Kodit Penal;

e) vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, të parashikuara në nenet 136, 139, 140, 141, 151, 152, në paragrafin e dytë, të nenit 156, dhe në paragrafin e dytë, të nenit 159, të Kodit Penal;

ë) krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, të parashikuara në nenet 208, 209, 210, 211, 212, 213, 214, 215, 216, 217, 218, 219, 220, 221, 222, 223, 224 e 225, të Kodit Penal;

f) vepra me qëllime terroriste, të parashikuara në nenet 230, 230/a, 230/b, 230/c, 230/ç, 231, 232, 233, 234, 234/a dhe 234/b, të Kodit Penal;

g) krime kundër autoritetit të shtetit, të parashikuara në nenet 244, 244/a, 245, 245/1, 259, 260, 265/a, 265/b, 265/c, 278/a, 282/a, 283/a, 284/a, 319 dhe 319/ç, të Kodit Penal;

gj) vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale, të parashikuara në nenet 333, 333/a dhe 334, të Kodit Penal.

2. Nuk përfiton leje të veçantë për qëndrimin e përkohshëm në shtëpi, i dënuari, i cili, pavarësisht se nuk është dënuar për një nga veprat penale të
parashikuara në pikën 1, të këtij neni, është në kushtet e mëposhtme:

a) Është në hetim ose është dënuar për një vepër tjetër penale gjatë qëndrimit në institucion;

b) Ka marrë një masë disiplinore gjatë gjashtë muajve të fundit, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi për trajtimin e të dënuarve;

c) Paraqet rrezikshmëri shoqërore ose ka pasoja për rendin dhe sigurinë publike;

ç) Nuk ka një banesë ose familjarët e tij nuk japin pëlqimin për të qëndruar në të njëjtën banesë, gjatë periudhës së qëndrimit të përkohshëm në shtëpi./lajmifundit

Loading...