Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një videokonferencë online me 6 ministrat e qeverisë.
Rama njoftoi se taksat dhe sigurimet do të paguhen, pasi në të kundër vendi rrezikon të futet në një kolaps ekonomik.
Kryeministri shfrytëzoi mbledhjen online me 6 ministra për të deklaruar prerë se taksat e tatimet, do të paguhen një më një.
Kjo gjë është e padiskutueshme tha ai, pasi në të kundërt vendi rrezikon të futet në kolaps ekonomik.Taksat dhe sigurimet do të paguhen, sepse përndryshe nuk shkojmë dot përpara në këtë luftë dhe përfundojmë në një gropë ku as korona nuk na gjen dot edhe po të na kërkojë.
E njëjta gjë, shtoi Rama, vlen edhe për faturat e dritave dhe ujit.
Kush nuk paguan dritat nuk do ketë drita. Pagesat e dritave do të bëhen një për një.Nuk ka diskutim. Këtu nuk është bërë deti kos, përkundrazi. Mos pagesa e dritave krijon një efekt zinxhir negativ në të gjithë hallkat e financave dhe pastaj nuk kemi mundësinë ti përgjigjemi nevojave të luftës. Jo vetëm kaq, por mund të përfundojmë pastaj në kolaps, kështu që pagesa e dritave nuk negociohet. Ashtu sikundër detyrimet bazike nuk negociohen. Kemi falur kamatëvonesat për të gjithë, tani të gjithë janë në raport me aktualitetin. Çfarë shpenzojnë, atë do të paguajnë. Kush thotë që nuk kam mundësi se shpenzoj shumë, le të shpenzojë më pak. Të kursejë dritat dhe të paguajë më pak. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk mundet dot të hyjmë në një situatë krizë në sektorin e energjisë nga e para, sepse implikimet janë të jashtëzakonshme dhe i bie që të heqim nga buxheti për të financiar OSHEE.