Shqipëria luan parimisht një rol pozitiv në rajon dhe në Shqipëri nuk ka aktivitete ose parti që e mbështesin idenë e bashkimit me Kosovën.
Kështu iu përgjigj qeveria gjermane një kërkese të deputetëve Markus Frohnmaier, Dietmar Friedhoff dhe grupit parlamentar “Alternativë për Gjermaninë” (AfD), që e ka redaksia e Deutsche Welle-s, për rolin e Shqipërisë në rajon dhe kriminalitetin e shqiptarëve në Gjermani.
“Në Shqipëri ekziston konsensus mbipartiak për anëtarësinë në NATO, integrimin në BE, për një shtet demokratik dhe kushtetues dhe për mirëkuptim në politikat rajonale”, thuhet ndër të tjera në dokument, publikuar nga DW.
“Në qeverisjen e kryeministrit Edi Rama ka pasur afrim me Republikën e Serbisë, sidomos në vazhdën e procesit të Berlinit. Në vitet 2014 dhe 2015 janë shkëmbyer dy vizitat e para reciproke në nivel kryeministrash që nga vitet 1940. Në vitin 2015 dy kryeministrat e dy vendeve hodhën idenë për krijimin e një organizate bashkëpunimi rajonal për të rinjtë, e cila filloi punën në vitin 2017 me seli në Tiranë”, thuhet më tej në dokument.
Qeveria gjermane argumenton se “qeveria shqiptare bën përpjekje për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Pyetjet e hapura në raportet me Greqinë po bisedohen në mënyrë konstruktive që prej vitit 2017. Shqipëria i ka mbështetur të gjitha vendimet e marra në politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë. Prej vitit 2009 Shqipëria është anëtare e NATO-s. Dhe për vitin 2020 synon të marrë në dorë kryesinë e radhës së OSBE-së, duke u rrekur kështu të marrë përgjegjësi përtej kufijve rajonalë”.
AfD bën pyetje edhe lidhur me idenë e bashkimit etnik të shqiptarëve, ose siç quan ajo “Shqipëria e Madhe”. “Shqipërinë dhe Republikën e Kosovës i lidhin marrëdhënie të ngushta bilaterale. Shqipëria e sheh gjuhën dhe kulturën shqipe si një pikë kontakti për bashkëpunimin ndërkufitar, sidomos me Kosovën”, përgjigjet Ministria e Jashtme.
“Në Kosovë është lëvizja opozitare ‘Vetëvendosje’ e vetmja që e mbron këtë ide. Kushtetuta e Kosovës megjithatë e përjashton mundësinë e bashkimit me një shtet tjetër. Qeveria federale e ka bërë të qartë disa herë se ajo nuk mbështet ndryshime territoriale në Ballkan mbi bazën e kritereve etnike”, theksohet në dokument.
E pyetur rreth deklaratave të kryeministrit shqiptar Edi Rama në prill 2018 në lidhje me mundësinë e bashkimit me Kosovën, nëse mbyllen portat e BE-së, qeveria përgjigjet: “Në Shqipëri, sikurse edhe në vende të tjera të rajonit, diskutohen vazhdimisht alternativat e mundshme, në rast se nuk do të ketë anëtarësim në BE. Nga ana tjetër është e qartë se Shqipëria synon anëtarësimin në BE dhe po bën reformat e nevojshme për të”, përgjigjet qeveria. Gjithashtu, qeveria gjermane thotë se nuk është në dijeni për aktivitete “nacionalistësh shqiptarë” në Mal të Zi dhe Greqi.
Sipas informacioneve të qeverisë federale gjermane, në Shqipëri, nuk ka parti politike që mbështesin bashkimin e gjithë shqiptarëve etnikë në një shtet.
Pyetjes në lidhje me ekstremistë shqiptarë në Gjermani, qeveria i përgjigjet se nuk di që të ketë struktura ose tubime ekstremiste shqiptarësh në Gjermani.ATSH