Policia e Korçës ka vënë në pranga një 39-vjeçar, pasi është vetëplagosur me armë zjarri.
Mësohet se 39-vjeçari Edion Miho është vetëplagosur aksidentalisht me një armë tip “CLOCK”, të cilën e posedonte pa leje.
Gjithashtu u arrestua shtetasi Todor Beba, 44 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit N.M, 47 vjeç dhe J.B, 38 vjeç, pasi kanë qenë në shtëpin e Todor Bebës në momentin kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimi.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të informacionit datë 30.11.2018, i cili bën fjalë për vetëplagosjen me armë zjarri të shtetasit Edion Miho, 39 vjeç, bëjmë me dije se:
Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje, bënë arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi, (i cili aktualisht ndodhet në Spitalin e Traumës në Tiranë) pasi u vetëplagos aksidentalisht, me një armë zjarri tip pistoletë të markës “CLOCK”, të cilën e posedonte pa lejen e organeve kompetente.
Gjithashtu u arrestua në flagrancë shtetasi :
Todor Beba, 44 vjeç, banues në Korçë (nenet 278 dhe 300/1 të Kodit Penal)
Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:
N.M, dhe J.B, 47 dhe 38 vjeç (neni 300/1 të Kodit Penal).
Shtetasit e mësipërm, kanë qenë në banesën e Todor Bebës, në lagjen nr 1 Korçë, ku ka ndodhur ngjarja dhe ku u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale arma tip pistoletë, me 15 fishekë luftarakë.
Todor Beba, N.M dhe J.B, edhe pse kanë patur dijeni, nuk kanë kallëzuar krimin pranë organeve të rendit.
Materialet në ngarkim të tyre, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme hetimore.