Gruaja është shëruar nga sëmundja që e preku dhjetorin e kaluar, ndërsa për disa javë autoritetet nuk arritën ta identifikonin infeksionin vdekjeprurës.
Një shitëse karkalecash deti mund të jetë pacientja e parë e diagnostikuar me koronavirusin Kinë, që tashmë është përhapur në çdo kënd të botës.
Sipas të përditshmes amerikane, Wall Street Journal, 57-vjeçarja, Uei Guishian, e zhvillonte aktivitetin në tregun ushqimor të Huananit në qytetin e Uhanit, ku mendohet se nisi fillimisht pandemia.
Duke besuar ishte prekur nga gripi sezonal, shitësja në 10 dhjetor i ishte drejtuar një klinike lokale për vaksinë dhe më pas i ishte rikthyer punës, duke ua shpërndarë kështu virusin personave të tjerë.
Pas 8 ditëve, 57-vjeçarja e gjeti veten pa ndjenja në spital, dhe në fund të muajit u izolua në karantinë, si një nga rastet e para të infektuara me virusin që ka paralizuar tërë planetin, duke sëmurë mbi gjysmë milionë veta e duke vrarë rreth 25 mijë të tjerë.
Në një intervistë për mediet vendëse, Uei Guishian thotë se ajo u shërua në fillimin e janarit, ndërsa për infeksionin, beson se mund ta ketë marrë nga një tualet në tregun lokal, që e ndante edhe me shitësit e tjerë të kafshëve të egra.
Sipas të dhënave zyrtare, në 2019-ën në Kinë u identifikuan 266 persona bartës të koronavirusit.
Ndërsa 57-vjeçarja kineze mund të jetë pacientja zero për tregun e Huananit, i infektuari i parë mbetet mister, sikundër vërtetimi i teorisë se virusi është transmetuar nga lakuriqët e natës te njeriu.
Kina raportoi të premten 54 raste të reja të importuara me Covid-19, dhe një pacient lokal.
Një total prej 74 mijë pacientësh janë liruar nga spitalet dhe rreth 3,300 veta kanë gjetur vdekjen, ndërsa në gjendje të rëndë shëndetësore janë edhe mbi 1 mijë raste të tjera.
Vendi ka kaluar valën e epidemisë dhe po i rikthehet ngadalë normalitetit, por masat parandaluese mbeten në fuqi dhe nga e dita e shtunë do të pezullohen hyrjet në kufi për çdo shtetas të huaj me pasaportë apo lejeqëndrim kinez, pasi mendohet se ata janë burim kryesor për përhapjen e Covid-19, citon ora news.