Koronavirusi e ka prekur edhe Kosovën. Personat që kanë shtypje të lartë të gjakut, sëmundje të sheqerit, sëmundje të zemrës, sulm në zemër apo në tru, sëmundje kronike të mushkërive dhe kancer, janë më të ndjeshëm ndaj koronavirusit.
Kështu thuhet në një infografikë të Ministrisë së Shëndetësisë, ku të dhënat janë burim i Oragnizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ndryshe, mbrëmë Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka konfirmuar edhe dy raste të reja me koronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 88.
Sipas IKSHP’së, një prej rasteve është me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë.
“Sot me 27.03.2020 në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar 108 mostra të marra nga rastet në terren dhe nga rastet e hospitalizuara në Klinikën Infektive.
Nga këto mostra të marra për testim në virusin SARS-CoV, 2 prej tyre kanë rezultuar pozitive. Rastet pozitive janë raste kontakti, një me vendbanim në Gjakovë dhe tjetri në Prishtinë”, thuhet në njoftim./lajmifundit