Një studim i ri i realizuar nga Instituti prestigjoz i Teknologjisë në Massachusetts, MIT, doli në përfundimin se stërkalat që dalin me kollën dhe tështimën, në temperatura të lagështa dhe të ngrohta, mund të udhëtojnë me shpejtësi që mberrijnë 10-30 metra për sekondë dhe mund të krijojnë një re me përmasa shtatë deri në tetë metra.
Studiuesit gjithashtu paralajmëruan se stërkalat mund të qëndrojnë pezull në ajër për orë të tëra, duke ndjekur lëvizjen e ajrit që shkaktojnë sistemet e ftohjes dhe ngrohjes.
Pjesëza të virusit janë gjetur në sistemet e ventilimit të dhomave të pacientëve me koronavirus dhe ekipi i studiuesve të MIT beson se këto pjesëza kanë dalë jashtë në formën e reve. Zyrtarisht, deri tani, njerëzit janë këshilluar të ruajnë një distancë prej 1.5m deri në 2 metra nga të tjerët kur janë duke pritur në radhë.
Për të shmangur përhapjen e virusit sidomos në supermarketet që vazhdojnë të jenë mjaft të frekuentuara, këshillohet përveç distancës, edhe që të bëhet pazar vetëm e jo në grup, të kufizohemi tek artikujt më të nevojshëm dhe sa më shumë që të jetë e mundur, të përdoren blerjet online.