Lloje të kësaj bime rriten në pjesë të ndryshme të Evropës, Azisë dhe Afrikës. Trungu i saj arrin lartësi mesatare 10-17 m, është gjethërënëse, me gjethe të thjeshta dhe të vendosura në mënyrë jo simetrike (2-12 cm).
Fruti dardhës është pemë e lëngshme dhe e ëmbël me përbërje pak të kokrriztë. Sipas disa të dhënave kultivimi i dardhës daton që para 3000 vitesh. Supozohet se më këtë frut janë freskuar njerëzit që në epokën e gurit. Tek “Odisea” Homeri dardhën e karakterizon si “dhuratë nga Zoti“, kurse në kohën e mbretit Luigji I, dardha kanë qenë simbol i luksit.
Dardha jeton rreth 300 vjet.
Frutat e dardhës përdoren në gjendje të freskët në kohën e pjekjes natyrore, të ruajtura në frigorifer, dhe të përpunuara në formë marmelate, konserve, kompostoje ose të thara. Përmbajnë kripëra minerale, si: kalium, kalcium, mangan, fosfor, hekur etj., 4-5 për qind sheqer, vitamina C, B1, B2, B6, karotinë, acide organike etj.
Ato janë freskuese, qetësuese, largojnë etjen, lehtësisht pastruese të zorrëve dhe japin energji. Kur janë të papjekura, nuk treten lehtë dhe qëndrojnë rëndë në stomak. Në sajë të përmbajtjes së hekurit dardhat bëjnë mirë për luftimin e anemisë. Ato bëjnë mirë gjithashtu në mëlçi, pasi nxisin aktivitetin për prodhimin e tëmthit.
Cipa e frutave të dardhës ka veti diuretike (diuretik, mjet që shkakton urinim të shpeshtë dhe ndihmon veprimtarinë e veshkave dhe të rrugëve urinare) dhe bën mirë në pastrimin e veshkave dhe të rrugëve urinare. Lëngu që fitohet nga zierja e lëvores së degëve të dardhës ndikon pozitivisht në uljen e temperaturës.
Gjethet e dardhës kanë veti të mira diuretike dhe antiseptike dhe përdoren kundër sëmundjeve të rrugëve urinare, në cistitet në gurët e veshkave, në dhimbjet e fshikëzës urinare, etj. Dardha nuk përmban substanca që shkaktojnë alergji, prandaj rekomandohet si ushqim për foshnjat dhe për personat alergjikë. Në çështjen e shëndetit edhe dardha do të vendosej krahas mollës dhe portokallit.
Dardha para ngrënies ashtu si molla, nuk duhet qëruar, pasi shumë vitamina ndodhen në lëkurën e saj. Këtij fruti i shfrytëzohen kokrrat, gjethet, rrënjët dhe lëkura e degëve apo e trungut (gjethet mund të përdoren edhe gjatë dimrit si të thata, nëse mblidhen në verë dhe thahen në hije). Ky frut shëron rrugët urinare dhe prostatën.
PËRGATITJA
Merren 100 gr gjethe të freskëta dardhe apo të thata, futen në një litër ujë të porsa vluar dhe lihen 30 minuta të mbuluara. Ftohet dhe kullohet dhe pihet 3 herë në ditë nga një gotë çaji, para buke 5 ditë radhazi. Merren 40 gr lëkurë apo lëvore dardhe dhe zihen 30 min me 200 ml ujë në enë të mbuluar. Ftohet, kullohet dhe pihet nga një gotë ujë esëll në mëngjes për 12 ditë me radhë.
Çaji përgatitet çdo ditë në temperaturë mesatare. Për shërimin e hemorroideve merren 50 gr lëvore të thata të dardhës, 10 gr lëvore të thata qepe, 20 gr rrënjë hithrash. Të gjitha përzihen dhe zien për 30 minuta me 250 ml ujë. Ftohet e kullohet dhe pihet 3 herë në ditë para buke (duhet të pihen 2 doza për 2 ditë).