Profesori Robert Garry nga Shkolla e Mjekësisë Tulane thotë se shumë njerëz janë të mendimit se virusi e ka burimin nga një treg në Wuhan të Kinës, por kjo është një ide e gabuar.
“Analizat tona dhe të të tjerëve tregojnë për një origjinë më të hershme se kjo. Në Wuhan patjetër ka raste, por nuk është aty burimi i virusit”, theksoi profesori Garry.
Sipas tij, ndryshimi në proteinat sipërfaqësore mund të jetë arsyeja që shkaktoi pandeminë e kësaj here, duke shtuar se mbase varianti i dobët i këtij virusi është përhapur për disa vjet, madje edhe për dekada, ndër njerëzit, para përshkallëzimit të kësaj here.
“Nga studimi i koronaviruseve të tjera e dimë se viruset mund të pësojnë këto ndryshime, duke u bërë pastaj më patogjenike. Kjo shpjegon pse ky virus përhapet më shpejt dhe shkaktoi pandeminë e kësaj here”, shtoi profesori Garry.
Pak kohë më parë, ekipi studimor i tij deklaroi në një artikull të botuar në revistën profesionale “Nature Medicine” se koronavirusi i ri është me burim natyror.