Mbyllja në shtëpi nuk është një proces shumë i lehtë për t’u përballuar, por kur kjo është e domosdoshme, atëherë këshilla e vetme është të kujdeseni sa më shumë për veten dhe shëndetin tuaj.
Ushqim i shëndetshëm, pak aktivitet fizik dhe mbushje të ditës me aktivitete shplodhëse janë zgjidhja e duhur për të kaluar ditën.
Këtë mënyrë jetese mjekët e këshillojnë gjithnjë, por veçanërisht tani duhet të bëni kujdes me zgjedhjet tuaja.
Ushqimi është parësor, duhet të konsumoni dietën e duhur në mënyrë që të keni shëndet dhe energji.
Organizata Botërore e Shëndetit jep një listë me ushqime dhe këshilla të cilat mund t’i ndiqni gjatë kësaj periudhe.
Çfarë të konsumoni?
Guida e re e ushqimit publikuar në OBSH vetëm dy ditë më parë është e përshtatur me situatën e COVID-19 në të cilën bota ndodhet sot. Përmban informacion mbi ushqime dhe vlera të ndryshme që ato kanë për organizmin dhe sistemin imunitar.
Megjithëse mund të mos e keni mundësinë për të konsumuar ushqime të freskëta çdo ditë në këtë periudhë karantine, mundohuni që të evitoni ato shumë të përpunuarat.
Kështu OBSH këshillon që të hiqni dorë nga kripa dhe sheqeri i tepruar. Në vend të tyre konsumoni rezervat e frutave, perimeve dhe ushqimeve të tjera të freskëta që mund të keni në shtëpi para se ato të prishen. Sipas ekspertëve është më e shëndetshme të përgatisni fruta dhe perime të ngrira, se sa të konsumoni ushqime të konservuara për një kohë të gjatë.
Nëse ju mbetet ushqim nga një vakt mos e hidhni, por kujdesuni që ta konservoni atë në frigorifer për një moment të dytë.
Një hap tjetër shumë i rëndësishëm sipas ekspertëve të OBSH është ushqimi i gatuar në shtëpi. Kjo kohë në shtëpi është e përshtatshme për të gatuar vetë recetat që ju pëlqejnë, duke lënë mënjanë porositë e ushqimeve nga jashtë.
Eksperimentoni me recetat e sidomos ato me bazë perimet, e rëndësishme është që ato të gatuhen në shtëpi. Ndiqni praktikat e higjienës ushqimore, duke i larë dhe pastruar mirë ushqimet tuaja, si dhe bëni kujdes me masat. Konsumoni të njëjtat vakte siç keni bërë gjithnjë, në këtë mënyrë nuk do të shtoni në peshë dhe do të qëndroni të shëndetshëm.