Nga prejardhja tek gama e simptomave, gjithçka që (ende) nuk dimë për Sars-CoV-2

U bënë muaj që lexojmë dhe studiojmë mbi koronavirusin, por shumë pyetje mbeten pa përgjigje.

Është normale, veçanërisht kur bëhet fjalë për një pandemi: studimet bëhen më me shpejtësi dhe vendimet shpesh duhet të bazohen në hipoteza që presin ende verifikim; urgjenca prodhon nënvlerësime ose hartografim të dobët; shifrat e një infeksioni kaq të përhapur janë vetëm provizore, por shpesh mbi ato bazohen përshkrimet e natyrës së epidemisë.

Ka mijëra gjëra që ende nuk i dimë për virusin. Kemi hipoteza, por siguria do të vijë vetëm në retrospektivë. Këtu janë disa nga pyetjet e pazgjidhura.

Nga vjen ekzaktësisht?
Virusi u zbulua për herë të parë në Vuhan, Kinë, në fund të vitit 2019, nga një grup rastesh të njerëzve që kishin frekuentuar një treg kafshësh. Koronavirusi, i quajtur zyrtarisht Sars-CoV-2, është i lidhur ngushtë me viruset që infektojnë lakuriqët e natës, megjithatë nuk është ende e qartë se cila ishte kafsha “urë” mes lakuriqit dhe njeriut. Lidhja që mungon, për të cilën disa spekulojnë se mund të jetë pangolina, mbetet e panjohur dhe mund të jetë burimi i infeksioneve të mëtejshme në të ardhmen.

A do të ndryshojë virusi?
Duke folur për karakteristikat e brendshme të një virusi, është e rëndësishme të kuptoni nëse ai do të ndryshojë apo po ndryshon. Viruset ndryshojnë vazhdimisht, por shumica e ndryshimeve në kodin e tyre gjenetik nuk pësojnë një ndryshim të rëndësishëm.

Si rregull i përgjithshëm, viruset zakonisht evoluojnë duke u bërë më pak vdekjeprurës në planin afatgjatë (siç ndodhi me SARS), por kjo nuk është e garantuar. Shqetësimi lidhet me faktin se nëse virusi ndryshon, sistemi imunitar nuk e njeh më atë dhe një vaksinë specifike nuk funksionon më (siç ndodh me gripin). Tani për tani, ky koronavirus duket se nuk ndryshon, por historia e tij në speciet njerëzore është ende e shkurtër.

A bëhemi imunë pasi e marrim virusin?
Mutacionet implikojnë imunitetin ndaj një sëmundjeje. Disa viruse zhvillojnë imunitet të përhershëm, të tjerët jo, e etë tjerët të përkohshëm. Ekspozimi ndaj katër koronaviruseve endemikë ekzistues prodhon imunitet që zgjat më shumë se ai kundër gripit, por nuk është i përhershëm. Tani për tani nuk e dimë se si do të sillet ky virus. Lidhur me lajmet për njerëzit e shëruar që e kanë marrë atë për herë të dytë, mund të themi se në këtë rast bëhet fjalë për ripërsëritje. Me sa duket virusi nuk ka qenë eleminuar ende nga trupi, ai ka qenë latent. Çështja e imunitetit është thelbësore për të kuptuar se çfarë do të ndodhë në afat të gjatë ose në rastin e valës së dytë.

A do të ketë valë të dytë?
Mund të fillojë e gjitha me një riimportim të rasteve nga zona të botës ku infeksioni ka paur një tendencë më të vonuar. Problemi në përgjithësi është mungesa e sinkronisë së shpërthimeve të epidemive në të gjithë botën. Ne mund të sigurohemi kur shohim një ulje të konsiderueshme të numrit të rasteve edhe në vendet e tjera. Disa viruse janë përsëritëse, për shembull MERS kurrë nuk ka mbaruar. Shpresa për këtë virus, është se do të ruajë patogjenitetin dhe vdekshmërinë aktuale relativisht të kufizuar dhe nuk do të ndryshojë gjenetikisht. Hipotezat janë: kontrolli është i suksesshëm (si me Sars); epidemia mbaron pasi të ketë infektuar sa më shumë njerëz (si rasti i Zikës); virusi humbet intensitetin dhe mbetet endemik si të tjerët që vazhdojnë të qarkullojnë (siç është gripi).

Sa njerëz janë infektuar me të vërtetë?
Eshtë një nga pyetjet më themelore, por gjithashtu një nga pyetjet më të rëndësishme dhe më të vështira për t’u përgjigjur. Ka pasur qindra mijëra raste të konfirmuara në të gjithë botën, por kjo është vetëm një pjesë e numrit të përgjithshëm të infeksioneve. Dhe numrat ngatërrohen më tej nga një numër i panjohur i rasteve asimptomatike: njerëzit që kanë virus por nuk ndjehen keq. Zhvillimi i një testi të antitrupave do t’i lejojë studiuesit të shohin sa e kanë pasur virusin, por studimet në mostrat përfaqësuese janë të nevojshme. Numri gjithashtu varet nga mënyra se si janë bërë tamponët dhe si menaxhohet komunikimi i rasteve: disa studime që konsiderojnë të gjitha variablat, shumëzojnë vlerën aktuale me dhjetë, por nuk ka siguri.

Cila është gama e plotë e simptomave?
Simptomat kryesore të koronavirusit janë ethe, kollë e thatë dhe vështirësi në frymëmarrje. Në disa raste janë raportuar gjithashtu dhimbje të fytit, dhimbje koke dhe diarre dhe ka hipoteza në rritje se një humbje e ndjenjës së aromës dhe shijes është karakteristike, veçanërisht në fazat e shërimit. Por pyetja më e rëndësishme është nëse simptoma të buta, të ftohët, hunda që rrjedh apo teshtitjet janë të pranishme në disa pacientë. Studimet kanë sugjeruar që kjo është një mundësi dhe se njerëzit mund të jenë potencialisht infektivë pa e ditur që ata e kanë virusin: të famshmit asimptomatikë.

Pse disa njerëz përkeqësohen?
Covid-19 është një infeksion i butë shumicën e kohës. Sidoqoftë, rreth 20% vazhdojnë të zhvillojnë sëmundje më serioze, por pse? Gjendja e sistemit imunitar të një personi duket se është pjesë e problemit dhe mund të ketë gjithashtu një faktor gjenetik. Të kuptuarit e kësaj mund të çojë në zhvillimin e sistemeve të parandalimit për të ulur fluksin e kujdesit intensiv. /Il Sole – Bota.al/

Loading...