Po bëhet gati një muaj që ka nisur kufizimi i lëvizjeve dhe shqiptarët janë vendosur në karantinë të detyruar brenda shtëpive të tyre është interesante ajo që ka ndodhur me atë çka ata kërkojnë në internet, ku kanë liri të plotë.
Nëse sheh se cilat janë kërkimet më të zakonshme në google, në 12 muajt e fundit, statistikat e google tregojnë se shqiptarët kanë kërkuar pafund për koronavirusin që është fjala kyçe e përdorur në ditët e fundit. Kjo do të thotë që fjala është futur për kërkim aq shpesh sa ka tejkaluar edhe “google translate” që mbante rekordin pak kohë më parë si fjala më e klikuar apo tërmetin si fjalë tjetër kyçe.
Në totalin e 12 muajve të fundit (nga prilli i kaluar deri më tani) fjalët që janë klikuar më shumë janë koronavirus, bet365mx, lux777, koronavirus update (të dhënat më të fundit për koronavirus) dhe “earthquake” apo tërmeti. Siç mund të shihet dy prej fjalëve më të klikuara u përkasin faqeve të basteve sportive online.
Por çka ndodhur me kërkimet në google në 30 ditët e fundit? Të dhënat e google tregojnë se në krye të kërkimit është “leje për dalje”. Së fundmi nga qeveria janë marrë masa për dalje të kontolluara të qytetarëve në fasha orare të përcaktuara.
Po kështu për të dalë duhet të sigurohet autorizim nga e-albania ose nga policia. Pikërisht vendosja e këtyre mekanizmave të kontrollit ka bërë që në harkun e një muaji kërkimi kryesor në internet të jetë ai sesi të sigurohet një lejë për dalje. Fjala e dytë me të cilën është kërkuar më shumë në google në 30 ditët e fundit është “shqipëriaqëduam.al”.
Rritja e klikimeve për këtë ëeb duket se lidhet me nismën direkte të Kryeministrit që në datë 24 mars vendosi që të gjithë qytetarët që donin të komunikonin me të të shkruanin pikërisht në këtë platformë.
Covid-19 është fjala e tretë kyçe ndërsa e katërta është vlerësimi i popullatës dhe e pesta sërish lidhet me lejet për dalje por këtë herë duke i shoqëruar me fjalën tjetër e-albania.
Nëse kalojmë tek ajo se çfarë kanë kërkuar shqiptarët në kanalin tjetër Youtube rezulton një alternativë e gjerë nga serialet turke si Ertogruli tek recetat dhe specifikisht sesi bëhet pica./Monitor