Shkencëtarja e ‘Oxfordit’: Nëse çdo gjë ecën mirë, vaksina testohet në…

Një profesoreshë e Universitetit të Oksfordit ka thënë se një vaksinë kundër Covid-19 mund të jetë gati këtë vjeshtë.

Sarah Gilbert është profesoreshë e vaksinologjisë në Universitetin e Oksfordit dhe e udhëheq një ekip të ekspertëve për zbulimin e një vaksine kundër koronavirusit, me të cilin deri më tani janë infektuar mbi 1.7 milion njerëz në mbarë botën.

Profesoresha Gilbert beson se 80 për qind se vaksina e zhvilluar nga ekipi i saj do të jetë e suksesshme për t’i mbrojtur njerëzit nga sëmundja e re.

Ajo u citua të ketë thënë: “Mendoj se ka gjasa të mira që ajo do të funksionojë duke u bazuar në gjërat e tjera që i kemi bërë me këtë lloj të vaksinës.”

Shumica e ekspertëve kanë thënë se gjetja e një vaksine kundër koronavirusit mund t’i marrë deri në 18 muaj derisa të futet në përdorim në tërë botën, por profesoresha Gilbert dëshiron ta përshpejtojë procesin e testimit klinik duke i lënë vullnetarët që të infektohen në mënyrë të natyrshme sa më shpejt që është e mundur.

Ajo tha se vullnetarët nga vendet që nuk kanë vendosur masa të izolimit do të ofronin rezultate më efikase, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

“Nëse njëra nga këto vende del të ketë shkallë të lartë të transmisionit të koronavirusit, atëherë ne do t’i marrin rezultatet e efikasitetit shumë shpejt, prandaj kjo është një strategji për ta shkurtuar kohën”, tha ajo.

Gjetja e një vaksione efikase deri në shtator është e mundshme, nëse gjithçka shkon në mënyrë të përsosur, shtoi profesoresha Gilbert, por gjithashtu paralajmëroi se askush nuk mund të premtojë se vaksina do të funksionojë.

Qeveria britanike ka vendosur të shpenzojë dhjetëra miliona funte për gjetjen e një vaksine efektive dhe ky ekip është në bisedime me qeverinë për fillimin e prodhimit të vaksinës para se rezultatet përfundimtare të bëhen të ditura.

Profesoresha Gilbert tha: “Ne nuk duam të arrijmë në fund të këtij viti dhe të zbulojmë se kemi një vaksinë shumë efektive dhe nuk kemi vaksina për t’i përdorur.”

Loading...