Zv.kryeministri Erjon Braçe ka reaguar pas deklaratës së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili pranoi dje në një intervistë në “Zonë e Lirë” se pas 30 vitesh shkëputje nuk mund të jetë më mjek.
Braçe thotë se më në fund e tha një të vërtetë, por njëherësh pyet se përse vijon Berisha të flasë si epidemiolog dhe infeksionist kur s’ka qënë kurrë i tillë.
“Sali Berisha prej vërteti; E tha më në fund një të vërtetë: Nuk jam më mjek! Kështu është! Por, nëse nuk është më mjek, sa të vërteta janë ato që vazhdon të thotë si mjek?! Madje ai epidemiolog e infeksionist kur nuk ka qënë kurrë i tillë?! Nëse nuk është më mjek, Çfarë i bie të jetë më ky?”, shkruan Berisha.
Një ditë më parë i pyetur se përse nuk ndihmon kolegët e tij në spital, Berisha deklaroi se nuk i shkoi në mend të rikthehej si doktor pasi nuk e konsideron më veten të tillë. Berisha u shpreh se prej 30 vitesh nuk e ushtron më profesionin dhe do të ishte qesharake që të pretendosh që sot ai mund të jetë mjek.